Lëvizja Socialiste për Integrim propozon ndryshime në ligjin e buxhetit për vitin 2019, të cilat sipas kryetares Monika Kryemadhi plotësojnë automatikisht kërkesat e studenteve në protestë.

“I bëj thirrje Edi Ramës të miratojmë urgjentisht me 140 vota në Parlament këto dy amendamente, të cilat shterojnë përfundimisht kërkesat minimale të studentëve. Sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i rikthyer studentët në bankat e shkollës. Çdo përqasje e tij për të manipuluar dhe për të blerë, çdo përqasje e tij për të korruptuar dhe për t’i vënë çmim çdo studenti apo pedagogu, çdo politikani apo çdo ndërkombëtari, i bëj thirrje të mbarojë sepse koha e tij ka mbaruar. Propaganda e tij 20-vjeçare mbaroi”, tha Monika Kryemadhi.

Thirrja për miratim unanim tregon se opozita do të rikthehet në Parlament në nje votim eventual të këtyre amendamenteve.

“Të 18 votat e LSI-së do të jenë bllok në Parlament për të zgjidhur problemet e studentëve”, tha Kejdi Mehmetaj, deputete e LSI-së.

Propozimi i dorëzuar nga LSI-ja në Kuvend përmban ndryshimin e totalit të shpenzimeve buxhetore për zërat e arsimit universitar dhe fonde për shkencën, nga 7 miliardë e 500 milionë lekë në 14 miliardë e 909 milionë e 916 mijë lekë, si dhe krijimin e fondit të emergjencës në arsim me vlerë 5 miliardë lekë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të cilat do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës në Tiranë dhe në rrethe.

Sipas LSI-së, këto parà kryeministri mund t’i gjejë duke anuluar tenderin e “Unazës së re”.

Top Channel