Luciano Spalletti nuk e fshehu zhgënjimin, pasi Interi i tij nuk përfitoi nga “dhurata’ që i bëri Barcelona, për t’u kualifikuar në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Zikaltrit nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 përballë PSV Eindhoven, ndërsa përveç Mauro Icardit, i cili luftoi me të gjitha mënyrat, të tjerët duket se bënë shumë pak për të fituar këtë takim.

“Na mungoi përqendrimi dhe mesa duket menduam më shumë sesa duhet për ndeshjen që po luhej në Barcelonë. U nervozuam shumë shpejt dhe humbëm qetësinë, duke gabuar shumë topa, ndonëse ishim në lojë për kualifikim. Jam shumë i zhgënjyer dhe i keqardhur për këtë rezultat”, deklaroi Spalletti.

Ndërkohë në rrjetet sociale është shfaqur në masë hashtagu “#SpallettiOut”, me tifozërinë zikaltër që duket krejtësisht e pakënaqur me mënyrën se si trajneri po e menaxhon grupin.

Spalletti është kritikuar vazhdimisht për zëvendësimet e tij të gabuara, gjë që pasqyrohet edhe nga rezultatet e zikaltërve, pasi Interi i tij nuk ia ka dalë thuajse asnjëherë të ndryshojë fatin e takimit falë lojtarëve të ardhur nga stoli.

Top Channel