E ardhmja e skuadrës së çiklizmit Team Sky, ku bëjnë pjesë dy fituesit e fundit të Turit të Francës, Chris Froome e Geraint Thomas, është në dyshim.

Kjo për faktin se kompania sponsorizuese SKY deklaroi se do të ndërpresë bashkëpunimin me ekipin britanik në fund të vitit 2019. Team Sky u krijua në vitin 2008 dhe deri tani ajo ka arritur 322 fitore ku përfshihen edhe 8 suksese në turet e mëdhenj çiklistikë. Po kështu, kjo skuadër ka regjistruar 52 fitore etapash dhe ka fituar edhe 25 gara njëditore.

“Team Sky do të vazhdojë garimet në eventet e çiklizmit me një tjetër emër në vitin 2020 nëse do të mund të gjejë një sponsor të ri”, thuhet në një komunikatë të Team Sky.

Sipas drejtuesit të Team Sky, Graham McWilliam, mbyllja e bashkëpunimit me televizionin SKY erdhi në kohën e duhur dhe se ishte pikërisht kjo skuadër që mori vendimin në lidhje me këtë çështje.

“Team Sky lindi me ambicien për të krijuar një skuadër të pastër e fituese, duke nisur që nga grupi i sportistëve dhe nga stafi britanik”, tha përgjegjësi i Team Sky, Dave Brailsford.

“Jemi krenarë për rolin që kemi pasur në 10 vitet e fundit kur shndërruam Mbretërinë e Bashkuar në një vend të çiklizmit. SKY do të largohet në fund të 2019 dhe ne jemi të hapur për çdo mundësi në gjetjen e një sponsori të ri”, shtoi Brailsford.

Top Channel