Dy të vdekur dhe të paktën 9 të plagosur raportohen nga policia, pas një serie të shtënash në qytetin e Strasburgut, në lindje të Francës.

Lajmi konfirmohet edhe nga zyra e kryebashkiakut. Oficerë të sigurisë kanë rrethuar menjëherë vendngjarjen duke krijuar perimetrin e sigurisë, ndërkohë që të gjithë tramvajet që kalonin përmes zonës janë ndalur.

Incidenti thuhet të ketë ndodhur shumë pranë një tregu Krishtlindjeje, në një prej shesheve qendrore të qytetit, “Place Kleber”.

Më herët ishin zyrtarë të Departamentit të Zjarrfikëses që citoheshin të njoftonin për një të vdekur. Autoritetet rajonale konfirmuan “një incident në vazhdim” në qytet, por pa dhënë detaje.

Një gazetar lokal publikoi në Twitter lajmin se ka pasur një seri të shtënash në rrugët e qendrës së qytetit. Emmanuel Foulon, drejtues i shtypit për Parlamentin Europian tha se “ekziston panik” në qytet pas të shtënave, por policia ndodhet në vendngjarje.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm ka bërë thirrje që banorët e qendrës së qytetit të Strasburgut të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi në këto momente shqetësuese sa i takon sigurisë.

Top Channel