Rapidi i Vjenës ka angazhuar një prift në seancat e fundit stërvitore, për të bekuar skuadrën austriake në javën që i paraprin një sfide të rëndësishme në Europa League, kundër Glasgoë Rangers.

Ekipi pritës do të synojë 3 pikët ndaj formacionit skocez, në të cilin pritet që nga minuta e parë të luajë dhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Eros Grezda.

Skuadra e drejtuar nga një emër i njohur si Steven Gerrard ka vuajtur mungesën e rezultateve, ndërsa vet trajneri nuk i ka dhënë besim të madh futbollistit kuqezi. Në ndeshjen e fundit, në Dundee, Eros Grezda ishte një ndër lojtarët që zhgënjeu, edhe pse admiruesit e shqiptarit mendojnë se ai po përshtatet shumë mirë nga java në javë.

I ri në moshë dhe i sapotransferuar në Skoci, në një kampionat që konsiderohet më shumë fizik sesa teknik, Grezda mund të ketë një mundësi të artë që të shfaqë më të mirën, të enjten në arenën kontinentale.

Aktivizimi i shqiptarit të lindur në Gjakovë favorizohet dhe nga dëmtimet në repartin ofensiv të Rangersave. Skocezët janë në vendin e tretë në grupin G të Europa League, e do t’u duhet të fitojnë me Rapidin për ta kapërcyer në renditje.

Top Channel