Paralajmërimi i zymtë i FMN-së: Re stuhie po mblidhen sërish

11/12/2018 18:09

Retë e stuhisë së krizës së ardhshme financiare po mblidhen, e sistemi financiar botëror është i papërgatitur për një krizë të re.

Paralajmërimi vjen nga David Lipton, zëvendësshef i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas tij, parandalimi i krizave është i papërfunduar, edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë nga kriza më e fundit e sistemit bankar global.

“Siç thuhet rëndom, çatia duhet rregulluar kur ka diell. Por, si shumë nga ju, e shikoj që po mblidhen re stuhie dhe druaj se puna për parandalimin e krizave është e paplotë”, tha ai.

Lipton tha se shtete individuale, të vetme, nuk e kanë fuqinë për të luftuar recesionin e ardhshëm, ndaj dhe u kërkoi qeverive të punojnë së bashku për të luftuar çështjet që mund të shkaktojnë një krizë tjetër.

Duke folur para një audience në Londër, zëvendësi i Christine Lagarde i kërkoi Kinës të ndërmarrë hapa urgjente për të hapur ekonominë e saj ndaj konkurrencës globale.

Pavarësisht pozicionit të Donald Trump, që është angazhuar në një përplasje të ashpër tregtare me Pekinin, ai tha se Kina duhet të ulë barrierat tregtare, si dhe të imponojë rregulla të ashpra për të mbrojtur pronën intelektuale, një ankesë thelbësore e presidentit amerikan.

Top Channel