Me mijëra emigrantë të mbetur në zonat kufitare të Bosnje-Hercegovinës me Kroacinë nuk janë të përgatitur siç duhet për temperaturat e acarta të dimrit dhe mund të mos rezistojnë dot gjatë stinës së ftohtë.

Zyrtarë të Kryqit të Kuq ndërkombëtar dhe të Gjysmëhënës së Kuqe paralajmërojnë se, mbi 5.000 emigantë që kanë mbetur të bllokuar në Bosnje-Hercegovinë kanë nevojë të dëshpëruar për ndihmë.

“Jemi të shqetësuar se, pa veprimet e duhura, emigrantët do të përballen me një katastrofë humanitare, e cila në fakt është krejtësisht e parandalueshme”, tha kreu rajonal i Kryqit të Kuq për Europën, Simon Missiri. “Koha po kalon”, shtoi ai.

Shteti i varfër ballkanik u gjend befas në rrugën e re të kalimit të njerëzve, që i drejtoheshin vendeve të BE-së duke iu larguar luftës dhe varfërisë në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Më shumë se 23 mijë vetë hynë në Bosnje-Hercegovinë me shpresën të kalonin në ndonjë vend anëtar të bllokut, e llogaritet se të paktën 5.300 prej tyre kanë mbetur aty, pa mundur të largohen.

Top Channel