May nis turin e takimeve me liderët e BE-së, sot “kokë më kokë” me Merkelin

11/12/2018 00:27

Kryeministrja Theresa May do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel gjatë ditës së sotme, për të diskutuar shqetësimet e shprehura nga ligjbërësit britanikë, lidhur me marrëveshjen e saj të Brexit.

May ka nisur një tur takimesh me udhëheqës të tjerë të BE-së, në përpjekje të sigurojë garanci për të lehtësuar shqetësimet në parlament, lidhur me marrëveshjen e saj për t’u larguar nga Bashkimi Europian.

Kryeministrja britanike anuloi gjatë ditës së djeshme votimin në parlament për marrëveshjen e daljes së Britanisë nga BE-ja, të cilën e kishte dakordësuar më herët me delegacionin e Brukselit.

Ky vendim i May erdhi pasi ajo kuptoi se nuk kishte votat e duhura për të miratuar këtë projekt-marrëveshje, ndaj u detyrua të tërhiqet për të rinegociuar edhe njëherë me krerët europianë.

Gjithsesi, vlen të theksohet se deklaratat e para zyrtare të Brukselit janë shumë pesimiste, pasi zyrtarët europianë theksuan se nuk do të pranojnë rinegocim të marrëveshjes së arritur më herët.

Top Channel