Skema përmes të cilës Dunwell Haberman fitoi tenderin 12 milionë euro për ndërtimin e linjës elektrike Burrel Peshkopi është identike me atë të Unazës së Re.

Top Channel publikon dokumente zyrtarë, të siguruar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, që tregojnë se edhe në rastin e këtij tenderi, gara ka qenë thuajse fiktive, me vetëm një ofertë të vlefshme.

Tenderi për linjën Burrel-Peshkopi është zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit në datën 6 shtator të këtij viti dhe fondi limit i përcaktuar ka qenë 1 miliardë e 206 milionë lekë.

Në garë kanë marrë pjesë dy kompani DH Albania, pra dega në Shqipëri kompanisë guackë Dunwell Haberman, si dhe një kompani tjetër shqiptare me emrin Argus Power shpk. Por oferta e dytë ka qenë fiktive, pasi kompania Argus nuk ka paraqitur ofertë financiare duke qenë automatikisht e skualifikuar.

Rrjedhimisht në tender ka patur vetëm një ofertë të vlefshme, ajo e DH Albania dhe çmimi i ofruar nga kjo kompani ka qenë qenë saktësisht 1 miliardë e 206 milionë lekë, aq sa fondi limit i përcaktuar. Duke përfshirë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar, vlera totale e kontratës shkon në 1 miliardë e 447 milionë lekë ose rreth 12 milionë euro.

Sipas dokumenteve, tenderi rezulton një procedurë me efektivitet prokurimi zero, ku për shkak të mungesës së garës kontrata është fituar me vlerë sa 100 për qind e fondit limit duke mos u kursyer taksapaguesve asnjë lekë. Por OST sërish ka vazhduar me procedurën duke e shpallur fituese kompaninë DH Albania. Skema është identike me tenderin e unazës së re, vetëm se këtë herë institucioni kontraktues nuk ishte autoriteti rrugor, por operatori i sistemit të transmetimit.

Dunwell Haberman është një kompani guackë e krijuar në Delaware të shteteve të bashkuara në fund të qershorit të këtij viti. Vetëm pak javë më vonë kjo kompani themeloi në Shqipëri degën DH Albania, përmes të cilave fitoi dy tendera me vlerë totale 30 milionë euro.

Por pas publikimit të skandalit se kompania kishte falsifikuar dokumentet, autoriteti rrugor dhe ost u detyruan të anulojnë tenderat. Megjithatë pa shuar dyshimet se si një kompania guackë e krijuar vetëm pak muaj më parë arriti të marrë 30 milionë euro tendera në Shqipëri me gara thuajse fiktive.

Top Channel