Është dhunuar brenda ambienteve të burgut Avlona në periferi të Athinës 19-vjeçari shqiptar Aleksandër Lucaj, autor i vrasjes së 21-vjeçares Eleni Topaludhi pak ditë më parë, në ishullin e Rodosit.

Në një video të publikuar prej një televizoni grek duket qartë dhuna fizike ndaj shqiptarit brenda qelisë së tij në burgun e të miturve në Avlona.

Pasi është qëlluar me shkelma dhe është gjakosur, ai rrihet sërish prej të dënuarve.

Videoja shokuese tregon një grup të burgosurish që kanë hyrë me dhunë në qelinë e tij dhe e godasin me shkelma dhe grushta 19-vjeçarin Lucaj, një akt ky vetëgjyqësie po kaq makabër sa edhe vrasja e studentes prej shqiptarit dhe shokut të tij grek..

Top Channel ka mësuar se në momentin e aktit të dhunës ndaj Aleksandër Lucajt, të dënuarit që godasin janë të nacionaliteteve të ndryshme, ndërsa mes dhunuesve është të paktën një gardian.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe avokati grek i popullit, si dhe shoqatat në mbrojtje të të dënuarve. Në një deklaratë të tyre, ata thonë se pavarësisht vrasjes makabre që 19-vjeçari dhe shoku i tij kanë kryer, ata janë tashmë në duart e drejtësisë dhe askush nuk ka të drejtë t’i dhunojë dhe persekutojë me akte vetëgjyqësie.

Top Channel