Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i është përgjigjur deklaratave të fundit të zyrtarëve të lartë të Bullgarisë lidhur me pohimet e tij për gjuhën dhe kombin maqedonas, duke theksuar se askush në botë nuk mund t’i kontestojë dikujt të drejtën e përcaktimit etnik, që sipas Zaevit, është vlerë evropiane, e cila duhet të pranohet nga të gjithë.

Reagimet e zyrtareve bullgare kishin pasuar një deklarate të shefit të ekzekutivit në Shkup se “Marrëveshja e Prespës vërteton ekzistencën e gjuhës maqedonase dhe se askush nuk do të ketë më të drejtën ta kontestojë”.

Krasimir Karakaçanov, zëvendëskryeministër për siguri dhe ministër i Mbrojtjes në Bullgari, e paralajmëroi Zaevin të mos keqpërdorë temën e gjuhës maqedonase.

Kjo mund t’ju kushtoje anëtarësimin në NATO dhe BE, tha ai, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është emërtim gjeografik që përfshin edhe territore të Republikës së Bullgarisë.

Maqedonia dhe Bullgaria e arritën në 1 gusht marrëveshjen e fqinjësisë së mirë përmes, së cilës pretendohet të zgjidhin mosmarrëveshjet historike që kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase të paraluftës së dytë botërore.

Marrëveshja ishte nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase, të cilën tani zyrtaret bullgare e mohojnë.

Top Channel