“Brexit”, May diskuton me liderët e BE-së. Opozita e quan “kryeministre në arrati”

11/12/2018 18:03

Theresa May është takuar me udhëheqës europianë dhe zyrtarët e BE-së të martën, për bisedime që kishin si qëllim shpëtimin e planit të saj të “Brexit”-it.

Ajo ka biseduar me kryeministrin holandez, Mark Rutte, si dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, pasi shtyu një votim në Dhomën e Komunëve mbi marrëveshjen.

Kryeministrja britanike ka thënë se ka nevojë për garanci shtesë për kufirin me Irlandën e Veriut, në mënyrë që të fitojë mbështetje nga deputetët. Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude-Juncker ka thënë ndërkohë se BE-ja nuk do të rinegocionte marrëveshjen, por kishte vend për qartësime të mëtejshme.

“Marrëveshja që ne kemi arritur është më e mira e mundshme, por sidoqoftë ka vend për qartësime të mëtejshme apo interpretime shtesë”, tha Jean Claude-Juncker.

Lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn e cilësoi ndërkohë Mayn një “kryeministre në arrati” dhe tha se udhëtimi në Bruksel ishte harxhim kohe dhe parash publike.

“Çfarë po bën ajo në Europë? Kjo kryeministre në arrati as nuk po kërkon rinegociim. Ajo konfirmoi se vetëm po kërkon garanci. Kryeministrja jonë po udhëton nëpër kontinent në kërkim të fjalëve të ngrohta”, tha ai.

Ndërkohë, disa deputetë konservatorë po marrin në konsideratë mundësinë e një mocioni mosbesimi për Theresa Mayn, me shpresën e rrëzimit të saj dhe hapjen e një gare për lidershipin në parti. Nëse nuk do të jetë më udhëheqëse e Partisë Konservatore, May duhet edhe të dorëhiqet si kryeministre.

Top Channel