Nuk marr dot frymë; këto kanë qenë fjalët e fundit të Jamal Khashoggi pas pritës në konsullatën saudite në Stamboll.

Një burim pranë hetimit mbi vrasjen e gazetarit kritik të regjimit Saudit tha për CNN se kishte lexuar transkriptimin e regjistrimit audio të momenteve të fundit të editorialistit të Washington Post.

Sipas tij, është mëse e qartë se ngjarja e 2 tetorit nuk ishte një incident i përfunduar keq, por vënia në jetë e një plani të paramenduar për eliminimin e gazetarit. Burimi shpjegon se Khashoggi është përpjekur të luftojë me njerëzit e vendosur për ta vrarë.

Ai e kishte kuptuar që në fillim se diçka nuk shkonte, sepse kishte njohur njërin prej personave që e prisnin për ta takuar dhe e kishte pyetur se çfarë bënte aty.

Sipas CNN-it, zëri i identifikuar si ai i Maher Abdulaziz Mutreb, një ish-diplomat saudit dhe oficer inteligjence që punon për princin Bin Salman, të cilin Khashoggi e njihte nga koha kur kishin bashke në ambasadën saudite në Londër, i ka thënë: “ti do te kthehesh mbrapsht”. Dhe Khashoggi i është përgjigjur: “Nuk e bëni dot këtë. Ka njerëz që më presin jashtë”.

Kaq ishte dialogu sipas burimit, e me pas gazetarin e rrethojnë disa vetë; dëgjohen zhurma e në fund vështirësia e tij me frymëmarrjen. Sipas një varianti saudit, ai u mbyt aksidentalisht gjatë përleshjes, por ndërkohë rezulton që reporteri të ketë vazhduar të flasë e të thotë se nuk merr dot frymë.

Transkripti mund të shtojë presionin mbi administratën Trump, që duket e vendosur ta shkëpusë princin saudit të kurorës nga vrasja e bujshme.

Top Channel