Këto janë orët e fundit nga fushata e njerëzve të drejtësisë që synojnë të marrin vota për në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP). Prokurori Bujar Sheshi është njëri nga kandidatët për në KLP, por edhe pse e ka të fituar automatikisht vendin pasi nuk ka konkurrentë nga apelet, ai sërish nuk mungoi në takimin me kolegët e prokurorisë së kryeqytetit.

Të martën dhe të mërkurën, prokurorët dhe gjyqtarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e gjyqësorit që është përkatësisht KLP dhe KLGJ. Për këtë arsye janë përpiluar dy draft-rregullore që përcaktojnë rregullat se si do të votohet. Ky draft do të miratohet në mbledhjen e përgjithshme, ndërkohë që përjashtohen nga e drejta e votimit të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga vetting-u, si edhe ata gjyqtarë e prokurorë që janë të pezulluar me vendim gjyqësor për shkak të një procesi penal.

Dhe natyrisht votimi i fshehtë është një nga kushtet që procesi të konsiderohet i rregullt. Edhe pse ligji i detyron të gjithë njerëzit e drejtësisë të jenë të pranishëm në këtë votim, në draft-rregullore votimet do të çelen vetëm pasi të formohet kuorumi. Nëse në fletë-votim nuk është e qartë se për kë është votuar ose nëse do të vendosen shënime në disfavor të kandidatit, kjo votë do të shpallet e pavlefshme.

Përmenden në rregullore edhe kushte të tjera si vëzhguesit dhe zgjedhja e komisionit të votimit apo balotazhi. Dhe pasi kanë mbyllur fushatën në zyra e lokale, draft-rregullorja u jep kandidatëve 5 minuta kohë për të shpalosur platformën e tyre para kolegëve.

Por, të dyja këto draft-rregullore që të konsiderohen të vlefshme duhet të miratohen secila veç e veç nga shumica e të gjithë anëtarëve të mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve apo prokurorëve.

Këto ditë votimi konsiderohen të rëndësishme edhe nga ndërkombëtarët. Ambasadorët e Holandës, Britanisë së Madhe dhe gjermanët e konsideruan njëzëri se kjo është java e rëndësishme e reformës në drejtësi. Ndërkohë, e pyetur nga Top Channel për pritshmëritë e këtij procesi, e ngarkuara me punë e Ambasadës së ShBA-së, Leyla Moses Ones, deklaroi: “Kemi dëgjuar fjalë se ka njerëz që po përpiqen të sabotojnë formimin e KLGJ-së, madje ndoshta edhe të KLP-së. Presim që shqiptarët që do të votojnë të martën dhe të mërkurën do të bëjnë gjënë e duhur. Kjo është me rëndësi kyçe për një sistem drejtësie që funksionon plotësisht. Formimi i këtyre dy organeve të drejtësisë përbën gurë të rëndësishëm në ndërtesën e shtëpisë së drejtësisë dhe një hap të rëndësishëm për të arritur anëtarëimin në BE”.

Edhe delegacioni i Bashkimit Europian ju përgjigj Top Channel: “Formimi i Këshillave do të përbënte një hap vendimtar në zbatimin e reformës në drejtësi, për një gjyqësor të fortë dhe të pavarur. Ai do të shtrojë gjithashtu rrugën për ngritjen e Zyrës së Posaçme të Prokurorisë (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), mjete thelbësore për rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Top Channel