Gjykata Evropiane e Drejtësisë thotë se qeveria britanike mund të tërheqë njëanshëm vendimin për t’u larguar nga blloku evropian, pa u konsultuar me 27 vendet e tjera anëtare.

Në një vendim urgjent të bërë publik një ditë para se Parlamenti britanik të votojë marrëveshjen për Brexit-in, të arritur nga kryeministrja britanike Theresa May me Bashkimin Evropian, gjykata deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mund ta anulojë Brexit-in.

Një grup politikanësh anti-Brexit kishin argumentuar se Britania duhet të ishte në gjendje ta ndalonte në mënyrë të njëanshme, por kësaj ideje i ishte kundërvënë sa qeveria, aq edhe vetë BE-ja.

Carl Gustav Fernlund, gjyqtar në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, tha: “Neni 50 i traktatit të Bashkimit Europian duhet interpretuar si mundësi që kur një vend anëtar e ka njoftuar Këshillin Europian mbi qëllimet e tij për tërheqje nga blloku, ai e lejon ta bëjë një gjë të tillë përsa kohë një marrëveshje mes anëtarit në fjalë dhe BE-së, nuk ka hyrë në fuqi”.

Ky vendim është në linjë me një opinion të një zyrtari të lartë ligjor, Campos Sanchez-Bordona, që është bërë publik javën e kaluar. Komentet e tij nuk janë të detyrueshme, mirëpo gjykata zakonisht ka tendencë t’ia dëgjojë këshillat në shumicën e rasteve. Sipas Sanchez-Bordona, nëse një shtet vendosë të largohet nga BE-ja, duhet të ketë fuqi për të ndryshuar mendjen në procesin 2-vjeçar të largimit, të specifikuar pikërisht në Nenin 50.

Zhvillimi vjen në kohën kur May po bën përpjekjet e fundit për të siguruar mbështetje për marrëveshjen e saj të Brexit-it. BBC ka mësuar se kryeministrja britanike ka ndërmend ta shtyjë votimin e ujdisë, refuzimi i së cilës, sipas saj, mund të çojë në zgjedhje të parakohshme, apo ta rrëzojë fare procesin e shkëputjes.

Top Channel