Tiranës i është shtuar një urë tjetër mbi lumin e Lanës, një investim i kërkuar prej kohës nga banorët e njësive 5 dhe 7. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, inspektuan urën e re pranë “Pallatit me shigjeta”, duke e cilësuar ndërtimin e saj si një dhuratë për banorët e zonës.

“Është një gëzim shumë i madh, që dhuratë e Bashkisë së Tiranës për komunitetin e Njësisë 5 dhe 7, bëhet një urë këmbësore që lidh këto dy komunitete. Nëse do ishin qytete, Njësia 5 dhe Njësia 7 do të ishin qytetet e dyta të Shqipërisë pas Tiranës, ndaj për këtë arsye lidhja e një hapësire nga NSHRAK-u e deri te Pallati me Shigjeta me një urë këmbësore është e jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Ndërtimi i urave të dedikuara për këmbësorët mbi lumin e Lanës në kryeqytet ka qenë një kërkesë e hershme e banorëve. Në tre vite, Bashkia e Tiranës ia ka dalë të ndërtojë 3 ura moderne, që u vijnë në ndihmë banorëve të zonës dhe bizneseve përreth.

“Është një urë e një cilësie jashtëzakonisht të lartë, me ndriçim led, që do të thotë se kur ne shqiptarët mobilizohemi dhe gjejmë ura bashkëpunimi, mund të bëjmë urë, mund të bëjmë unazë, mund të bëjmë Pazar, mund të bëjmë shesh, mund të bëjmë kënde lojërash”, tha më tej Veliaj.

Duke theksuar se e ardhmja e Tiranës varet nga bashkëpunimi, kryebashkiaku Veliaj kërkoi prej banorëve të kryeqytetit mbështetje për projektet publike. Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko e cilësoi të jashtëzakonshëm këtë investim të Bashkisë së Tiranës, që i vjen në ndihmë komunitetit, i cili e kishte kërkuar prej kohësh një urë të tillë.

“Kjo është një urë jashtëzakonisht e veçantë. Janë ura këmbësorësh, janë ura që u shërbejnë komuniteteve dhe janë ura që janë bërë me kërkesë të komunitetit. Sidomos kjo pjesa këtu ka qenë tërësisht zonë e margjinalizuar. Tani me këtë urë, mund ta quajmë me plot gojë urë për komunitetin e njerëzve, të cilët besoj e kanë mirëpritur në mënyrë të jashtëzakonshme”, tha Majko.

Top Channel