Në ditën e 6 të protestës së studentëve dhe të 5-tës para Ministrisë së Arsimit nuk munguan incidentet. Situata u tensionua kur rreth orës 11 të paradites së të dielës tentoi të merrte fjalën pedagogu i Shkencave të Natyrës, Jani Marka.

Ai i përket lëvizjes “Për Universitetin” dhe studentët i hoqën megafonin, duke e zbritur me forcë nga një podium i improvizuar. Pas incidentit, pedagogu Jani Marka tha se forumet politike po tentojnë të përçajnë protestën.

“Jane futur forumet e po përçajnë protestën. Ftoj PD-në të tërheqë eksponentët nga protesta”, tha Jani Marka, pedagog.

Edhe studentët i druhen infiltrimit të forumeve partiake, duke kërkuar nga forcat politike të qëndrojnë larg.

Pas incidentit reagoi edhe lëvizja “Për Universitetin”, duke denoncuar dhunën që thotë se po ushtrohet ndaj veprimtarëve të saj prej 3 ditësh, nga njerëz që i quan “rrugaçë partiakë”.

“Goditje me çelësa, tërheqje nga flokët, shkelma, shuplaka dhe grushtet, janë format kryesore të dhunës me të cilat janë përballur të rinjtë. Të paktën 12 raste sulmesh të tilla, nga keqbërës të partive, janë evidentuar gjatë këtyre ditëve, prej të cilave, shumica e të cënuarave kanë qenë vajza. Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, agresorët kanë qenë të forumeve të Partisë Demokratike. U bëjmë thirrje strukturave drejtuese të PD-së, si dhe kryetarit Lulzim Basha, që të tërhiqen nga aktet e dhunës dhe metodat e tjera që synojnë intimidim dhe përçarje”, shkruhet në reagim.

Të njëjtën thirrje, lëvizja “Për Universitetin” e ka për të gjitha forcat politike, ndërsa nënvizon se studentët në protestë para Ministrisë së Arsimit po përballen me një fushatë të koordinuar dezinformimi dhe orvatjesh për t’i përçarë.

Top Channel