River Plate triumfoi në Superklasiken ndaj Boca Juniors dhe fitoi Copa Libertadores, në atë që u quajt finalja e shekullit.

Pas 210 minutave në total në të dyja ndeshjet, River triumfoi me rezultatin e përgjithshëm 5-3 dhe 3-1 në ndeshjen e kthimit pas shtesës, që konfirmoi se beteja për këtë finale nuk mund të shteronte kurrë.

Pothuajse një muaj pas finales së parë dhe dy shtyrjeve, u luajt më në fund finalja e dytë mes dy rivalëve të përjetshëm argjentinas vetëm se këtë herë në fushë neutrale, në “Santiago Bernabeu” të Spanjës. Mijëra kilometra larg Buenos Airesit megjithatë emocionet nuk munguan me dy skuadrat që ishin të vendosura për të fituar trofeun e madh të Libertadores.

Gjithsesi në pjesën e parë Boca ishte më këmbëngulëse dhe pasi Pablo Perez shpërdoroi dy herë në minutat 11 dhe 31-të ishte Benedeto ai që kaloi në avantazh verdheblutë me një gol fantastik duke çuar peshë tifozët e Bocës.

Përgjigja e River Plate megjithatë erdhi në pjesën e dytë me Ignacio Fernandez që në të 68-tën ishte lojtari që finalizoi një aksion të përsosur të të tijve.

Pavarësisht ritmit të lartë rezultati nuk ndryshoi më deri në minutën e 90 me ekipet që shkuan në shtesë. Vetëm 2 minuta nga fillimi i saj dhe Barrios la në inferioritet numerik Bocën. Një epërsi që River e shfrytëzoi më së miri, me një gol fantastik të Quinteros. Ishte momenti që tifozët e Riverit kishin ëndërruar duke bërë ato mijëra kilometra deri në Spanjë dhe pavarësisht se me 9 veta në fushë e lojës dhe me portierin Andrade që luajti për 8 minuta si sulmues, Boca nuk arriti të gjejë golin e barazimit duke goditur dhe shtyllën, ndërsa në aksionin e fundit në kundërsulm Martinez realizoi dhe golin që vulosi trofeun.

Pas 3 vjetësh, River u rikthye sërish në majën më të lartë të futbollit amerikano-jugor duke fituar për herë të katërt Copa Libertadores.

Top Channel