Pavarësisht reshjeve të shiut që kanë nisur prej disa minutash në Tiranë, mijëra studentë nuk e kanë ndalur protestën e tyre përballë Ministrisë së Arsimit, aty ku me pankarta ironizuese dhe thirrje në kor kërkojnë që të merren parasysh kërkesat e tyre, ose ata mund të futen në grevë urie.

“Nuk na ndal shiu/ Nuk na ndal bora/Ne jemi studenta, juve jeni horra”, janë vargjet që ata kanë kënduar në kor.

Por në ditën e katërt të protestës studentore ka pasur tension, kjo pasi banorët e “Astirit” që protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre në kuadër të projektit të “Unazës së Madhe” të Tiranës kanë tentuar t’i bashkohen studentëve dhe këta të fundit kanë kundërshtuar.

“Jo ne do të bëhemi gardh studentësh. Dhe nuk ndalojmë. Ata mund të na bashkohen vetëm nëse dalin me pankartat tona dhe thirrjet në mbështetje tonë”, thanë në nisje të protestës, studentët duke ju referuar një tentative për bashkim nga banorët e “Astirit”.

Dhe ajo të cilës i druheshin ka ndodhur pasi banorët e “Astirit”, fillimisht të inkuadruar tek e tek si prindër brenda grupit masiv të studentëve, e më pas të gjithë bashkë janë gjendur krejt papritur mes tyre.

Në këtë moment ka nisur tensioni dhe një kordon studentësh i kanë larguar banorët e Astirit, duke ja bërë të pamundur bashkimin me protestën e tyre para Ministrisë së Arsimit.

Një pjesë e studentëve janë dakord që banorët t’i bashkohen protestës, ndërkohë një pjesë tjetër nuk e lejojnë. Ata që janë pro, thonë se bashkimi bëhet me kusht që banorët e “Astirit” të vijnë të protestojnë për kauzën studentore, ndërkohë që ata që janë kundër i druhen politizimit të protestës.

Ndërkohë midis dy grupeve të protestuesve është vendosur edhe një kordon policie për të shmangur tensionin.

“Nëse banorët e Astirit duan të bashkohen të vijnë si qytetarë dhe të bëjnë thirrje për plotësimin e kërkesave tona. Nëse do të vinin të bashkohen me ne ata të bashkoheshin që në mëngjes protestës tonë”, thonë studentët për mediat.

Ndërkohë një banor u shpreh: “Protesta jone është pasdite, ne kemi ardhur për solidaritet. Kërkesat tona janë ekonomike, po mbrojmë shtëpitë”.

Top Channel