Plot 10 minuta shtesë të mbushura me gola, kartonë dhe emocione pa fund, pro që nuk mjaftuan për të shpallur një fitues në sfidën mes Lazios dhe Sampdorias, që përfundoi në barazim 2-2.

Në sfidën e luajtur në “Olimpico”, ishte skuadra gjenoveze ajo që kaloi e para në avantazh, duke shënuar me Quagliarelën në minutën e 21-të, që përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes vendase dhe mposhti portierin Strakosha.

Lazio, që vinte pas 3 barazimesh radhazi, nuk mund të pajtohej me barazimin, ndaj u hodh në sulm dhe arriti të barazojë rezultatin në minutën e 79′, me anë të mbrojtësit Acerbi.

Në minutën e dytë shtesë, Bereszynski u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Sampin me 10 futbollistë, ndërsa në minutën e 96′ Lazio fitoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol Ciro Immobile.

Gjithsesi nuk ishte e thënë që bardhekaltrit e Inzaghit të riktheheshin te fitorja dhe të festonin sonte, pasi në minutën e 10 dhe të fundit shtesë ishte fantazisti Ricardo Saponara që shënoi në portën e Strakoshës dhe riktheu baraspeshën.

Plot 4 kartonë të verdhë dhe dy gola në 10 minutat e fundit, por që gjithsesi lënë Lazion në vendin e 5-të me 25 pikë dhe Sampdorian në 8-in me 20 pikë.

Më herët, skuadra tjetër e kryeqytetit italian, Roma bëri vetëvrasje në minutat e fundit të sfidës përballë Cagliarit në Sardegna, e cila gjithashtu u mbyll me rezultatin 2-2.

Verdhekuqtë ishin në avantazh të dy golave, por në minutën e 84’t, Cagliari rihapi takimin me anë të një goli të shënuar nga Ionita, ndërsa në minutat në vijim, filloi drama e vërtetë për skuadrën e Di Francescos.

Kjo pasi sardët u ndëshkuan me dy kartonë të kuq radhazi dhe mbetën me 9 futbollistë, por atëherë kur nuk pritej, në minutën e fundit shtesë mbrojtja e Romës rreshtohet gabim dhe i jep mundësi sulmuesit Sau të barazojë rezultatin.

Top Channel