Pesë të mitur dhe një nënë që shoqëronte vajzën e saj humbën jetën gjatë një rrëmuje në një diskotekë në Ancona.

6 persona mbetën të vdekur dhe mbi 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi u shtypën nga turma të mëdha të njerëzish që po vraponin të dilnin nga klubi i natës. 12 prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur në diskotekën “Lanterna azzurra” në Corinaldo në zonën e Madonna del Piano. Shkak për humbjen e jetës është bërë një spraj me erë të keqe i hedhur në turmë gjatë koncertit të reperit Sfera Ebbasta.

Të plagosurit u transportuan në spitalet zonës për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

“Ishim duke kërcyer kur nuhatëm një erë djegëse. Donim që të dilnim por daljet e emergjencës ishin të bllokuara. Kaluam nga ana tjetër dhe u shtypëm me njëri-tjetrin. Një djali mbeti poshtë”, rrëfen një 16-vjeçar i plagosur.

Sipas hetimeve paraprake dyshohet se tragjedia ka ndodhur pasi dalja e emergjencës ishte e bllokuar, turma tentoi që të dilte nga ana tjetër duke përfunduar të shtypur me njëri-tjetrin.

Top Channel