Demokratët kanë kujtuar sot 8 dhjetorin e 1990, 28 vite më pas në Ditën e Rinisë me një ceremoni të mbajtur në Qytetin Studenti, aty ku u krijua dhe Lëvizja Studentore që i dha fund diktaturës komuniste, e solli më pas pluralizmin në Shqipëri.

Një nga figurat kryesore të dala në atë kohë është edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet risolli në kujtesë emocionet e atyre ditëve, ndërsa i quajti studentët e 90-ës heronj të pamposhtur.

“Për mua janë ditët ku unë përjetova mrekullinë më të madhe të jetës sime sepse, ato ditë unë do të kisha përballë, një grup studentësh 500 por edhe 1000 që në rrugën afër rrugës Elbasanit ishin pozicionuar përball autoblindave tankeve, të gjitha llojeve të armëve. Ishin të vetmuar, 15-16 qytetarë ishin afër tyre, por ishin të pamposhtur ishin heronj. Asnjë nuk thotë se unë isha hero, por vërtetë ato ishin heronj të vërtetë të Kombit shqiptar. Ishin heronj të pamposhtur”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri më tej përshëndeti protestën e ditëve të fundit të organizuar nga studentët, e dklaroi se ata kishin marrë një vendim epik për nga guximi duke dalë përsëri në protestë, për t’i kthyer sheshin kombit dhe popullit.

“Sot prej 4 ditësh kemi një dhjetor të dytë. Si asnjëherë universitetet kanë nisur një betejë të vendosur, kundër regjimit të Edi Ramës. Ky regjim ka përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e vet. Ky regjim i ka mbyllur Shqipërisë dyert, ka larguar shqiptarët si në 91, ka vrarë shpresën. Studentët po u ngjallin shpresat shqiptarëve. U shpreh mbështetjen më të fuqishme, u bëj thirrje shqiptarët ti mbështesim me gjithë mundësitë. Mos dëgjoni ata manipulatorë, që kërkojnë t’ju shkëpusin nga shoqëria, që për interesa të padronëve të tyre, përpiqen t’ju paraqesin se po protestoni për një gjobë”, tha më tej Berisha.

Top Channel