Në studion e “Top Talk” ka qenë i ftuar Pr/Asociuar. Dr Përparim Kabo, për të diskutuar për protestën e studentëve baza e kërkesave të të cilëve janë kushtet në konvikte, auditore, por edhe përgjysmimi i tarifave.

Për profesorin Përparim Kabo këto kërkesa janë të vonuara dhe shumë parciale, pasi siç thotë ai, Gjeneratat e reja, kanë përgjegjësinë se ku shkon e ardhmja e vendit.

“Them është e vonuar, sepse në 10 vitet e fundit 3 herë ka ndryshuar ligji për Arsimin e Lartë. E para për kompetencë profesionale të atyre që e kanë bërë, E dyta sepse arsimi nuk është parë si baza e zhvillimit të vendit. E treta sepse në përgjithësi ndryshime në arsim nuk janë mbështetur me fatura financiare. Nuk mund të bëhen ndryshime pa përcaktuar sa do të investosh. E papërfillshme shuma e përcaktuar në buxhet që do të shkojë për kërkimin shkencor”, u shpreh Kabo.

Ndërsa kërkesat e tyre profesor Kabo i cilëson parciale, pasi në thelb sipas tij është revolucioni kurrikular.

“I mbështes ata, por them se janë parciale se nuk zgjidhet çështja e arsimit vetëm me përgjysmimin e tarifave, më përmirësimin e kushteve në konvikte e auditorë. Themelor është ai që sot në botë njihet si revolucioni kurrikular. Përgatitja e dijes në atë që sot njihet si epoka kibernetike”, u shpreh profesor Kabo, duke shtuar se “Mos marrja në konsideratë e gjendjes sot, solli këtë duf”.

Top Channel