Rubrikën “Përgjigjja ime”, kryeministri Rama e shrytëzoi këtë herë për të biseduar në distancë me studentët protestues, duke u treguar i gatshëm të dëgjonte shqetësimet drejtpërdrejt prej tyre, pa ndërhyrje të palëve të tjera.

“Në rrugë dilet për të kërkuar vëmendjen e vendimmarrësve ndaj shqetësimit që ke, ndërsa shqetësimi adresohet përmes dialogut me vendimmarrësit. Unë dua që ata ta dinë se kam shumë për t’u thënë, por edhe shumë dëshirë që t’i dëgjoj, ballë për ballë, pa censurë për opinionin publik, pa drejtues, pa administratorë, pa pedagogë, por vetëm studentët e zgjedhur prej vet protestuesve, pa asnjë filtër partiak apo administrativ”, deklaroi Rama.

PERGJIGJA IME

Posted by Edi Rama on Friday, December 7, 2018

Rama theksoi se, që prej vitit 2013, kur socialistët erdhën në pushtet, është respektuar e drejta e çdokujt për të protestuar, pa kërcënuar apo rrezikuar sigurinë e kujt del në rrugë “prej plumbave apo hakmarrjes politike, pavarësisht nëse kemi qenë apo jo dakord për ndonjë protestë. Protesta e ka pasur të garantuar si kurrë më parë pacënueshmërinë e statusit të qytetarisë së saj”.

“Ndihem shumë mirë për këtë dhe po të mund të zgjidhja, sot do të doja të isha edhe njëherë student protestues. Por, si kryeministër dhe si një protestues i dikurshëm, kam bindjen se duke dëgjuar njëri-tjetrin me respekt, jemi apo jo dakord, dhe duke u bërë bashkë për modernizimin e arsimit të lartë në çdo aspekt, ne mund ta përshpejtojmë dhe ta bëjmë shumë më mirë punën kolosale që mbetet ende për të bërë në dobi të universitetit”, tha Rama.

Vetëm duke u bërë bashkë e duke dialoguar mund të përmirësohen gjërat, theksoi kryeministri, duke ftuar edhe njëherë studentët në zyrën e tij.

“Detyra ime është t’i dëgjoj e t’i mbështes në çdo rast që ata do të donin të bisedonin. Kur ata të dëshirojnë, bujrum, zyra ime është e këtu”, tha Rama.

Top Channel