Trazira në rrugë. Pika karburanti që mbeten pa karburant. Panik për të blerë në supermarkete. Një vend në kaos. Nuk është imagjinata për ndonjë version distopian të Britanisë pas Brexit, por Franca e sotme nën drejtimin e mbrojtësit të vetë-formuar të anti-populizmit, Emanuel Makron.

Të gjithë politikanët francezë thonë se frymëzohen nga Sharl De Gol dhe Makroni s’përbën përjashtim. Në fotografinë presidenciale shfaqet para tryezës, me një kopje të kujtimeve të luftës të De Golit. Mesazhi i Makronit për popullin francez është i qartë. Ashtu si De Goli, ai do të jetë një udhëheqës i fortë. Ashtu si De Gol, ai do të dalë përmbi politikave të vogla e të udhëheqë për të mirën e kombit.

Krahasimet me De Golin janë bërë kohët e fundit, por jo me De Golin që ngriti një qeveri franceze në dëbim, në Londër, në vitin 1940; apo me De Golin që po shëronte plagët në Algjeri në vitin 1958. Por protestat e jelekëve të verdhë që kanë shpërthyer gjithandej nëpër Francë kujtojnë vetëm pushtimin e rrugëve të Parisit nga punëtorët dhe studentët në Maj të vitit 1968.

Ashtu si De Gol, Makron nuk arriti ta parashikojë protestën që pritej. Ashtu si De Goli ai dukej i shkëputur dhe i pamundur të përgjigjej. Ashtu si De Goli, ai do të paguajë një çmim të lartë politik, sepse qëndrimi i tij ishte që nuk do të dorëzohej para protestuesve nëse dilnin në rrugë, si dhe nuk do ta braktiste vendimin për të rritur taksat e naftës dhe të benzinës në muajt në vazhdim. Por, si përfundim, bëri pikërisht këtë.

Nuk ka pak ironi për faktin se njeriu që u pa si përgjigjja ndaj populizmit, ka shkaktuar demonstratën më të fuqishme që ka parë Europa. Kur erdhi në Elize, Makroni u pa si një lloj politikani i ri, por në fakt ishte e shkuara, jo e ardhmja. Është centristi i fundit teknokrat që ndjek traditën e Klintonit, Blerit dhe Shrederit.

Shembulli i Makronit ka qenë kancelari paraardhës in Merkelit. Shrederi solli reformat e tregut të punës dhe të ndihmës sociale në fillim-vitet 2000, për ta bërë ekonominë më të fuqishme të Europës edhe më konkurruese. Reformat funksionuan, por jo me rregull. Gjermania ka më pak papunësi dhe suficit tregtar, por vetëm sepse punëtorët gjermanë kanë pranuar ulje pagash dhe investimesh.

Makroni mendoi se e njëjta recetë do të funksiononte dhe në Francë, por pasi mundi lehtësisht Le Penin në zgjedhje, mbështetja e tij bazë vazhdoi të ishte e dobët. Franca e zgjedh udhëheqësin në një proces me dy faza: raundi i parë me shumë kandidatë, dhe raundi i dytë kur dy kandidatët me numër më të madh votash shkojnë kokë më kokë. Shprehja është që Franca zgjedh në raundin e parë dhe eliminon në të dytin. Më shumë se një e katërta e atyre që votuan në raundin e parë, donin Makronin.

Megjithatë, presidenti mendoi se kishte një mandat të fuqishëm më reforma strukturore. Ai uli taksat për të pasurit, e bëri më të lehtë që kompanitë të punësojnë e të shkarkojnë staf, dhe u kap me hekurudhat. Ishte çështje kohe para se të fillonte t’i kthehej në fytyrë.

Ekonomia franceze është përpjekur të ruajë ritmin e Gjermanisë. Por ka shumë pak fuqi për të stimuluar kërkesën, për shkak se interesat përcaktohen nga Banka Qendrore Europiane. Ndërsa politika fiskale, taksat dhe shpenzimet publike, kufizohen nga rregullat e eurozonës për deficitin e buxhetit. Franca ka mbështetur idenë e Euros duke menduar se monedha e përbashkët do të ulte fuqinë e gjermanëve, por ndodhi e kundërta. Gjermania është bërë forca mbizotëruese në Eurozonë dhe në gjithë BE-në. Euroja funksionon për Gjermaninë, ose më mirë, për eksportuesit gjermanë. Por nuk funksionon mirë për askënd tjetër. Pasi bëri një gabim të përmasave historike, kur iu bashkua monedhës së përbashkët, Franca nisi të përpiqet ta ndreqë.

Kur ishte ende në pjesën e muajit të mjaltit si president, Makroni njoftoi një plan për të forcuar unionin monetar duke krijuar një buxhet të kontrolluar nga eurozona. Ai e dinte që e vetmja mënyrë që Berlini të pranonte, ishte nëse Gjermania e shihte marrëdhënien me Francën si partneritet mes të barabartësh, diçka që nuk ka ndodhur prej vitesh.

Mënyra për të krijuar respekt ishte duke e futur ekonominë franceze në të njëjtat linja të rrepta që hynë gjermanët me Shrederin. Kjo i shtonte përfitimin që mund të fuste edhe programin e tij të brendshëm, që synonte të krijonte një mjedis më të mirë për biznesin dhe të kthente ekuilibrat e pushtetit nga forca punëtore te kapitali.

Gjermanët duan gjithnjë përpjekje për t’u bindur, jo vetëm për dëshirën që të kenë një politikë fiskale për të gjithë eurozonën, të cilën duhej ta financonin ata, si dhe duhej të bindeshin për aftësinë e Makronit për të dhënë rezultat. Përplasja më e dhunshme në gjysmë shekulli ka konfirmuar frikën e tyre më të keqe, por thelbi më i gjerë këtu është se politikanët duhet të kuptojnë që kriza financiare dhe një dekadë me ulje të nivelit të jetesës kanë ndryshuar atë që mund të arrihet ose jo në politikë.

Është e dëshirueshme dhe e realizueshme që të përdoret sistemi i taksave për të ulur ndryshimet e klimës, por vetëm nëse goditja ndaj standardit të jetesës ekuilibrohet nga ulje të tjera taksash. Përndryshe është thjesht një masë shtrënguese që çdo votues do ta refuzojë. Dhe është vetëvrasje politike të njihesh si presidenti i të pasurve dhe pastaj t’u thuash votuesve të zemëruar për çmimin e naftës që të përdorin transportin publik. Nuk është prej De Goli, por prej Mari Antoniete: “Lëri të hanë tortë”.

Larry Elliott, The Guardian

Top Channel