Një kalendar që nuk sjell vetëm trupa, por edhe jetë! Ky është kalendari “Pirelli 2019”, i prezantuar në Milano dhe i realizuar nga fotografi i modës skoceze, Albert Watson.

Katër janë muzat që shfaqen në 40 imazhet me ngjyra dhe bardhezi, të realizuara mes Miamit dhe Neë Yorkut; aktoret Laetitia Casta, Gigi Hadid, Julia Garner me balerinën Misty Copeland.

E 4 janë filmat e vegjël, siç i quan Watson, që rrëfehen në kalendar, 4 histori mes ëndrrës dhe realitetit: Gigi jeton në Manhattan dhe është një zonjë e pasur e pushtuar nga mërzia dhe vetmia; Misty është një balerinë që kërkon sukses; Laetitia është një piktore që jeton në një garsonierë me shokun e saj; ndërsa Julia një fotografe e re.

Në përshkrimin që Watson bën për secilën prej tyre, ka edhe pak nga jeta e tyre reale.

“Duke filluar nga tema e ëndrrës, si refleksion i asaj që do të jem dhe do të bëj nesër – shpjegon Watson, – objektivi ishte të eksploroheshin femrat dhe të krijohej një situatë që propozon një vizion pozitiv”.

Në vitin e lëvizjes “#MeToo” dhe të pozicioneve të ashpra kundër dhunës mbi gratë, edicioni i 46 i kalendarit “Pirelli” nuk mund të ishte ndryshe.

“Ka një mesazh simbolik. Gratë ngrenë zërin e thonë ‘jemi të rëndësishme dhe kemi për të thënë gjëra të rëndësishme’”, thotë Misty Copeland.

Katër modelet bëhen kështu interprete të ëndrrave dhe ambicieve, e si në përditshmëri, kanë pranë tyre burra, të fejuar apo miq që i mbështesin dhe ndajnë me to angazhimin, zhgënjimin dhe sfidat.

“Albert ka tentuar të kapë diçka nga shpirtrat tanë, më shumë sesa nga trupat tanë”, thotë Laetitia Casta.

Top Channel