NBA, Lakers mposhtin San Antonion. James “bën ligjin” në parket

06/12/2018 13:18

San Antonio nuk sheh dritë në fund të tunelit. Skuadra teksane pësoi një tjetër disfatë pas asaj me Utah Jazz, e këtë radhë nga Los Angeles Lakers me rezultatin 113-121, për ta çuar bilancin sezonal me 11 fitore dhe 14 humbje.

Krejt ndryshe po ndodh me Lakersat, që pas një fillimi të vështirë të sezonit po regjistrojnë fitore të njëpasnjëshme. Ai që bëri ligjin në parket për skuadrën kaliforniane ishte LeBron James, autor i plot 42 pikëve në këtë përballje.

Por, “Mbreti” pati në sfidën me teksanët edhe ndihmën e Kuzma me 22 pikë, Ball me 14 dhe Calwell-Pope me 12 pikë. Për Spursat, 31 pikët e Gay dhe 32 të DeRozanit nuk shërbyen për të evituar këtë humbje të radhës.

Golden State nuk hasi rezistencë të madhe në sfidën me Cleveland. Skuadra kampione e NBA-së iu imponua skuadrës me të cilën dueloi në finalen e sezonit të kaluar, duke e mundur me lehtësi 129-105. Skuadra nga Ohio po vuan largimin e James, e këtë e tregon bilanci me 5 fitore dhe 19 humbje i këtij sezoni.

Në sfidën e zhvilluar në “Quicken Loans Arena”, protagonisti për Warriors u bë Stephen Curry me 42 pikë, por nuk qëndroi pas as Kevin Durant, që e mbylli atë me 25 pikë, 10 topa në tabelë e 9 asiste. Te Cleveland bënë mirë Thompson me 14 pikë e 19 topa në tabelë, e Sexton me 21 pikë.

Toronto tregoi edhe njëherë se në këtë sezon është skuadra që po dominon në Konferencën e Lindjes në NBA. Skuadra kanadeze fitoi një përballje të vështirë me Philadelphian, që në ktë sezon duket se është në një formë të mirë, me rezultatin 113-102.

Ishte një ndeshje ku dolën në pah aftësitë individuale të lojtarëve të të dyja skuadrave, në mënyrë të veçantë të Butler për “76ers” me 38 pikë e 10 topa në tabelë, e Leonard për “Raptors” me 36 pikë. Te skuadra kanadeze, që shënoi fitoren e 21-të sezonale u dalluan edhe Valanciunas me 26 pikë, e Ibaka me 18. Ndërsa te Philadelphia, përveç Butler spikatën edhe Redick me 25 pikë, e Simmons me 8 pikë, 10 topa në tabelë e 11 asiste.

Top Channel