Debati Wake Up: Protesta e studentëve për tarifat e larta të shkollimit dhe tarifat e krediteve për provimet e mbartura, ka sjellë një ” përplasje” live në studion e ” Wake Up” këtë mëngjes, mes studentëve dhe këshilltarit në MASH.

Redi  Shtino, këshilltari në Ministrinë e Arsimit: “Shkaktarë në masë të këtij vendimi janë vetë studentët, që me provimet e tyre të mbartura kanë krijuar kosto shtesë për universitetet, duke u paraqitur në një provim aq shumë herë sa kanë krijuar një situatë të papranueshme për Institucionet e Arsimit të Lartë, të cilat më vonë vendosën që të mos e tolerojnë fenomenin. Këto janë statistikat që parashikojnë IAL-të  dhe për rrjedhojë erdhi dhe VKM-ja.  Politika e administrimit publik bazohet mbi parime bazë dhe , parimet bazë të së drejtës  publike dhe të së drejtës administrative parashikojnë që kush shkakton një kosto shtesë duhet të paguajë për to”- u shpreh ai në ” Wake Up”.

Eljon Velaj, studenti në fakultetin e Arkitekturës: “Kostoja shtesë për një provim të mbartuar është sa kosto që ne paguajmë edhe gjatë vitit shkollor. A është e drejtë kjo që ne për një provim të mbartur të paguajmë aq sa herën e parë që ne paguajmë për të marrë leksione, seminare gjatë gjithë vitit. Pasi na del e njëjta kosto po të bëjmë llogaritë”- u shpreh studenti në ” Wake Up”.

Redi Muçi, pedagog: “Më fal cila kosto shtesë? Pedagogu e merr rrogën  pavarësisht se është në sezon provimi apo jo, cila është kostoja shtesë ma sqaroni pak ju lutem.. Papërgjeshmëria është e shtetit shqiptar, i cili buxhetin për arsimin e ka lënë, e ka katandisur universitetin në pikë të hallit. Studentët janë aty për të mësuar, por kanë shumë probleme të tjera, duhet të paguajnë tarifën , duhet të punojnë që ta paguajnë atë, ndaj detyrohet të lënë provimet”- u shpreh ai në ” Wake Up”.

 

Top Channel