Çalja bëhet “Kalorës”. Presidenti nderon peshëngritësin

06/12/2018 18:10

Peshëngritësi i njohur shqiptar Briken Çalja u nderua nga presidenti për arritjet e tij në pedanë, dhe përfaqësimin e flamurit kuqezi në arenën ndërkombëtare.

Presidenti Ilir Meta i akordoi titullin “Kalorësi i Urdhërit të Skëndërbeut” peshëngritësit kampion të trefishtë të Europës.

“Kam kënaqësinë e veçantë të nderoj një nga sportistët e shquar në sportin e peshëngritjes, Briken Çalja, Kampionin e Europës dhe fituesin e tre medaljeve të Arta’ tha presidenti Meta.

Një i apasionuar pas peshëngritjes, Meta vlerësoi kampionin kontinental për punën dhe sakrificat e bëra, që i sollën tre medalje të arta Shqipërisë.

Ceremonia u zhvillua në Shtërmen të Cerrikut, një qytezë e vogël e cila ka nxjerrë me dhjetëra emra të njohur në peshëngritje.

“Sportistë të kalibrit të Brikenit na lumturojnë dhe na nderojnë të gjithëve. Ata janë ambasadorët tanë më të mirë, duke përfaqësuar denjësisht flamurin, popullin dhe kombin tonë nëpër botë. Nuk e them për dobësi të pasionit tim personal, por me bindje, se peshëngritja ka qenë dhe vazhdon të jetë një sport me traditë dhe me suksese të jashtëzakonshme’, tha Meta.

Top Channel