Komisioni i Venecias u ka dërguar palëve politike në Shqipëri, mazhorancë e opozitë, draftin paraprak të opinionit të tyre, ende të pamiratuar, për propozimin e Partisë Demokratike për vettingun në politikë.

Komisioni i Venecias nuk duket se i mbështet propozimet kushtetuese të Partisë Demokratike përsa i përket vettingut në politikë, ndonëse e quan legjitim qëllimin e opozitës për pastrimin e politikës nga krimi.

“Çështja kontakteve të ngushta mes parlamentarëve apo këshilltarëve bashkiakë me krimin e organizuar është një problem i hershëm në Shqipëri. […] Ndaj, për shkak të rrethanave specifike në Shqipëri, vendosja e një mekanizmi special vetingu për zyrtarët publikë, duket si një qëllim legjitim”

Nga ana tjetër, draft-opinioni paraprak që ka mbërritur në Tiranë e që iu është shpërndarë palëve, thekson se pavarësisht qëllimit legjitim, aktualisht nuk ka një vakuum ligjor për këtë.

“Pa vënë në dyshim qëllimin legjitim për të pastruar klasën politike shqiptare – dhe duke qenë mendjehapur ndaj nevojave për të mjete të tjera legjislative – Komisioni vëren se amendamentet e propozuara nuk vijnë në kushtet e një vakuumi ligjor”.

Në konkluzionet e raportit prej 20 faqesh, Komisioni i Venecias ka shumë rezerva përsa i përket mekanizmit të ofruar nga opozita përmes ndryshimeve kushtetuese. Cfarë konsiderohet kontakt i papërshtatshëm, kush do e bëjë vetingun e politikanëve dhe për sa kohë do të përjashtohen subjektet, janë disa prej shqetësimeve kryesore të Venecias.

“Propozimi kushtetues për kontrollin e integritetit të politikanëve, nuk arrin të ofrojë udhëzime të përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, edhe në nivel kushtetues, për një proces kaq të gjerë, kompleks dhe sensitiv, me implikime serioze për të drejtat e subjekteve të prekura prej tij”.
Ekspertët e Venecias nënvizojnë se në kushtet e ekzistencës së ligjit të dekriminalizimit, nuk shikojnë vlerën e shtuar për të pasur ndërhyrje të tjera kushtetuese.

“Këto pasiguri e bëjnë të pamundur për Komisionin e Venecias të gjykojë nëse propozimi mund të konsiderohet si përgjigje e proporcionuar ndaj çfarë është padyshim një problem real në Shqipëri. Duke pasur parasysh nenet ekzistuese të Kushtetutës së Shqipërisë dhe implementimet ligjore përkatëse (në veçanti Ligjin e Dekriminalizimit), ashtu si edhe mekanizma të tjerë demokratike, vlera e shtuar ligjore e propozimeve kushtetuese mund të vendoset në pikëpyetje”.

Komisioni i Venecias ia lë Parlamentit që të gjejë një zgjidhje, përmes dialogut politik.

“I takon Parlamentit të Shqipërisë të vendosë mbi hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentet kushtetuese të propozuara, përmes dialogut konstruktiv mes të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në shkallë të gjerë, në interes të demokracisë së Shqipërisë”.

Opozita pritet të kthehet në Parlament për të votuar draftin brenda dhjetorit, duke shmangur kështu djegien e mandateve. Një hap i parë u hodh paraditen e të mërkurës kur PD dhe LSI mori pjesë rregullisht në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, që shqyrtoi raportet e ekspertëve përkatës mbi këto drafte.

FOTO GALERI
1/20

Top Channel