Në Partinë Socialiste kishte nisur një luftë e brendshme. Nga njëra anë ishte krijuar klani Xhafaj me disa eksponentë të rëndësishëm të Komisionit të Ligjeve, dhe nga ana tjetër ishte Saimir Tahiri me një grup ministrash.

Përplasjet mes tyre konstatoheshin shpesh herë kur vinte puna kur mes institucioneve që drejtonin nevojitej kooperim për çështje të caktuara. Si kryetar në Komisionin e Ligjeve, Xhafaj është akuzuar nga ana e opozitës më shumë se një herë për falsifikim.

“U akuzua nga PD specifikisht zoti Xhafaj për manipulim të ligjit të amnistisë, me qëllim amnistimin e shitblerjes së votës në zgjedhjet në Korçë. Pra, kjo është e vitit 2014, amnistia është e vitit 2014 ndërkohë vepra penale kishte ndodhur në vitin 2013”, tha Bylykbashi.

Xhafaj ka drejtuar Komisionin e Posaçëm parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë në vitet 2014-2017. Edhe ky angazhim, e ka kompromentuar në momente të caktuara figurën e tij. Ai është akuzuar madje se ka falsifikuar ndryshimet në Kodin e Procedurës për të penguar ekstradimin e vëllait në Itali.

“Këtu jemi para një ndryshimi pa një lloj procedure, manipulim apo falsifikim i një dokumenti zyrtar parlamentar siç është një projektligj i cili propozohet, diskutohet, miratohet në Komisionin e Ligjeve por në seancë plenare shkon në formë tjetër. Aty është bërë, është vënë një element, mekanizmi që është sot në Kodin e Procedurës Penale është pikërisht mekanizmi i cili thotë që, që të bëhet ekstradimi duhet që shteti që e kërkon të japë garanci për rigjykim”, tha Bylykbashi.

“Është një reformë që vetëm Venecia është marrë kaq herë dhe nuk e mendoj dot që janë bërë ca klauzola me emër…”, tha Gjinushi.

Demokrati Bylykbashi thotë, se Agron Xhafaj tashmë është kthyer në precedent për Kodin e Procedurës Penale.

“Ne sot kemi rrezikun që, jo vetëm rasti konkret u bllokua, bllokohej në këtë formë, por ne kemi rrezikun që me këtë dispozitë të bllokohen kërkesat për ekstradim për çdo shtetas tjetër”, tha Bylykbashi.

Por, me gjithë rezervat e opozitës dhe ekspertëve, Xhafaj ka arritur të imponojë te ndërkombëtarët figurën e një politikani luftëtar për reformimin e drejtësisë. Aq sa, ata pranuan zgjedhjen e Arta Markut Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme, e konsideruar si e afërt me Xhafajn.

Klanit të Xhafajt, tashmë i është shtuar kryeprokurorja Arta Marku, e cila më herët kishte punuar në Prokurorinë e Shkodrës me Ulsi Manjën.

Top Channel