Vendimi i qeverisë që detyron studentët të paguajnë tarifë shtesë për provimet e mbartura është pritur me protesta nga studentët e Universiteteve publike. Por shkaqet e rikthimit të studentëve në rrugë mund të kenë arsye me të thella se kaq.

Të dhënat zyrtare nga instituti I statistikave tregojnë se në dy vitet e fundit, barra e shpenzimeve që arsimi ngarkon në buxhetin e familjeve shqiptare është rënduar me dy herë. Sipas INSTAT, nëse në vitin 2015, shpenzimet për arsim merrnin mesatarisht 2.1 për qind të buxhetit familjar, vitin e kaluar pesha e buxhetit që familjet shpenzojnë për shkollimin e fëmijëve kërceu në 3.9 për qind.

Kjo e bën Shqipërinë një nga vendet, ku familjet sakrifikojnë më shumë financiarisht për të shkolluar fëmijët e tyre. Në bashkimin europian, shpenzimet për arsim zënë vetëm 1.1 për qind të buxhetit familjar, pra gati 4 herë më pak se sa ajo që shpenzojnë familjet shqiptare.

Por pse arsimi është kaq i shtrenjtë për familjet në Shqipëri? Shkaku kryesor duket I lidhur me shpenzimet publike? Prej vitesh, buxheti që qeveria shqiptare shpenzon për arsimin ka ngrirë rreth 3 për qind e prodhimit kombëtar. Në bashkimin europian shifra mesatare e shpenzimeve publike për arsimin është sa 4.9 për qind e prodhimit kombëtar, ndërsa në vende të caktuara ajo arrin edhe në 7 për qind.

Meqenëse qeveria shqiptare jep më pak për arsimin nga buxheti i shtetit, kjo I detyron familjet që ta përballojnë nga xhepi i tyre koston. Prej vitesh, thuajse të gjitha qeveritë në Shqipëri kanë premtuar rritjen e buxhetit për arsimin, por të gjitha kanë dështuar duke lënë pas të njëtën situatë, arsim të financuarin dhe me cilësi të dobët, një cikël negativ që duket se ushqen veten.

Top Channel