Përfundoi pa fitues krye-ndeshja e javës së 15 të kampionatit anglez, Manchester United – Arsenal, e zhvilluar në stadiumin “Old Trafford”.

Londinezët e drejtuar nga Unay Emery kaluan dy herë në avantazh, fillimisht në pjesën e parë me Shkodran Mustafin dhe më pas me Lacazette, në minutën e 68′.

Gjithsesi “Djajtë e kuq” reaguan mjaft mirë në të dy rastet, duke barazuar fillimisht me Anthony Martial dhe më pas me Jese Lingard.

Fitore mori edhe Liverpooli, që përmbysi disavantazhin në transfertën ndaj Burnleyt, duke sigluar rezultatin final 1-3 dhe për të marrë 3 pikët që e mbajnë pranë Manchester Cityt kryesues.

Cork shënoi për vendasit në minutën e 64-t, gol ky që zgjoi djemtë e Klopp, të cilët shënuan më pas 3 herë, fillimisht me Milner dhe më pas me Firmino e Shaqiri.

Chelsea pësoi humbjen e dytë në kampionat, e cila vjen vetëm dy javë pas disfatës së parë përballë Tottenhamit në derbin londinez.

Skuadra e Sarrit ishte në avantazh të një goli të shënuar nga Loftus-Check në pjesën e parë të transfertës ndaj Wolvesit, por këta të fundit shënuan dy herë në pjesën e dytë, dhe morën 3 pikët.

Top Channel