Shkëndija e Tetovës eliminohet nga Pobeda në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë. Ekipi kuqezi, i cili e kishte humbur 0-1 takimin e parë të luajtur në Tetovë, jo vetëm që nuk mundi të përmbyste këtë disfatë, por pësoi edhe një tjetër me shifra edhe më të thella.

2-0 për Pobedën përfundoi takimi i kthimit dhe të dy golat i realizoi i njëjti autor, kamerunasi me pasaportë franceze Makota, i cili në verë erdhi në provë te Skënderbeu por nuk firmosi me korçarët. Pikërisht ish-i i Skënderbeut i shënoi 3 herë në 2 takime Shkëndijës duke hequr mundësinë për të mbrojtur trofeun e Kupës së Maqedonisë.

0 gola të shënuar dhe 3 të pësuar është bilanci negativ i skuadrës së Qatip Osmanit në fazën çerekfinale të kompeticionit, duke shuar ëndrrën për një tjetër sukses të dyfishtë në fund të sezonit. Tashmë Shkëndija do të përqendrohet vetëm në Ligën e Parë të Maqedonisë, të cilën e kryeson me 5 pikë më shumë se Vardari.

Top Channel