Bardhok Pllanaj, i arrestuar të hënën në Shkodër, njihet si një biznesmen me reputacion në qytetin verior dhe me lidhje të forta politike.

Ai kishte një palllat 10-katësh, që 44-vjeçari e kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente në lagjen “Dobraç”, një zonë kjo që deri para pak javësh ishte jashtë kontrollit policor, por edhe institucioneve vendore.

Pallati me vlerë 2 milionë euro është tashmë nën sekuestro, pasi nga hetimet ka rezultuar se ky objekt është financuar nga të ardhura që dyshohet se janë rrjedhojë e aktivitetit kriminal, që ky shtetas ka kryer më parë.

Emri i Pllanajt do të lakohej për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Pllanaj arriti t’i shmangej kapjes.

Sipas Partisë Demokratike në atë kohë, për t’iu shpëtuar prangave, trafikanti u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku, por ky i fundit mohoi akuzat. Sipas burimeve policore, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur për Pllanajn masën e “arrestit me burg” për trafik narkotikësh, edhe në maj të vitit 2017, por në rrethana të paqarta rezulton që kjo masë të jetë shuar 2 muaj më vonë.

44-vjeçari akuzohet tashmë për pastrim të produkteve të veprës penale, ndërtim pa leje dhe falsifikim.

Top Channel