Gati dy vjet e gjysmë nga dita e referendumit te shkëputjes së Britanisë së madhe nga Bashkimi Europian, Theresa May arriti të vuloste me Brukselin marrëveshjen që do të parandalonte një dalje të vështirë të vendit të saj nga blloku.

Draftin e miratuar, e paraqiti në Londër.  Shumë pak pas kësaj, në sistemin politik të Britanisë, shpërtheu kaosi.

 Ngjarjet e kësaj periudhe e bëjnë dramën disa mujore në kryeqytetin belg të duket e zbehtë krahasuar me atë qe po zhvillohet në atë anglez. Kryeministrja britanike e gjeti papritmas veten në vijën e zjarrit që i mbërrin nga te gjitha anët.

Prej kohësh tashmë është vënë re qartë një përçarje e thellë e kampit pro-brexit brenda vetë partisë së saj konservatore. Nga njëra anë, qëndrojnë mbështetësit e idesë së një largimi të ashpër, grupimi që i mëshon ndërprerjes së qartë të marrëdhënieve me bllokun, e që këmbëngul për ndarjen e legjislacionit britanik nga ligjet europiane për çështje të cilat nisin nga tregtia apo emigracioni e deri tek rregulloret e produkteve.

Në krahun tjetër, qëndrojnë avokatet e “brexitit të butë’- për këta të fundit, një shkëputje totale prej Tregut të Përbashkët Europian do të kishte pasoja katastrofike si për ekonominë, ashtu edhe për stabilitetin politik të Anglisë.

Ku qëndron marrëveshja e May në raport me këto dy kampe? Përgjigja është e thjeshte: ajo anon padyshim nga Brexit-i i butë..

Marrëveshja parashikon një fazë kalimtare deri në 2020-tën, periudhë kjo që supozohet t`i japë Britanisë një frymëmarrje, duke i lejuar në vazhdimësi qasjen në tregun e brendshëm të bllokut, pa e rënduar me dogana shtesë. Nga ana tjetër, nuk u lanë jashtë vëmendjes as të drejtat e qytetarëve të të dyja palëve, pretendimet financiare të Londrës apo dhe ajo që i vonoi më shumë negociatat: çështja nevralgjike e kufirit irlandez.

“Si i rregullon kjo marrëveshje të drejtat e qytetareve të të dyja palëve, si u zgjidhën kërkesat financiare të Londrës dhe pika tjetër e rëndësishme; si qëndron puna me kufirin irlandez”, tha  Dr, Roland Lami, analist.

BE-ja konsideron t`i ketë ofruar Britanisë së Madhe një lloj partneriteti “të ndershëm” ekonomik dhe politik.

“Është koha që gjithsecili që marrë përgjegjësitë e tij. Marrëveshja ishte një hap i domosdoshëm për ndërtimin e besimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së me qëllimin që të ngremë një partneritet te ardhshëm ambicioz e të paprecedent’, tha Michel Barnier.

Kryenegociatori i bllokut tingëlloi mjaft bindës me këtë deklaratë. Por, jo për të gjithë. Në Londër, shumë e shohin si tradhti atë që për disa të tjerë është në lëvizje politikisht e zgjuar e May-t; në këndvështrimin e grupit të parë, Anglia me këtë ujdi më shumë humbet sesa fiton.

Kryerebeli Steve Baker, ish ministër i Brexitit-t dhe një euroskeptik i paepur, shihet si figure qendrore në lojën e madhe të shahut që është brexiti. Politikani nga Cornwalli drejton një grusht politikanesh të tjerë që ndajnë të njëjtin pasion me të kundër BE-së. Numri i tyre llogaritet diku tek 50, mjaftueshëm ndoshta, sipas shtypit të huaj, për të bllokuar çdo pakt Londër-Bruksel. Qëndrimi i Bakerit është mjaft i qartë.

“Unë thjesht dua një largim brilant nga Bashkimi Europian…Përse dreqin duhet të pranojmë që ai të ketë të drejtën pafund për të na treguar sesi duhet të qeverisim veten”, u shpreh Steve Baker.

Kampin favorizues të “brexitit të vështirë’ e acaroi shumë edhe dështimi në përmbushjen e premtimit për rimarrjen e kontrollit mbi ligjin britanik. May arriti ta fitojë pëlqimin e kabinetit për ujdinë, por një ditë më vonë dy ministra, përfshirë sekretarin e brexitit, Dominic Raab dhanë dorëheqjen në shenjë proteste. Largimi i tij u pa si goditje gati fatale për planin e shefes së ekzekutivit, dhe vetë qeverisjen e saj. Ajo çfarë i thanë atë ditë në konfidencën gazetës the “Guardian” burime pranë Downing Street, tregon qartë sa i fortë ishte ky grushtim.

 “Nga të gjithë ministrat që mund të jepnin dorëheqjen, Raab ishte ai që nuk duhet ta kishim humbur. Raab e ndihmoi May-n ta mbante “shfaqjen” në këmbë pas përplasjes së Chequers, ku dhanë dorëhqjen dy mbështetës kryesore të Brexitit, Dadiv Davis dhe Boris Johnson. Një përkrahës pragmatist i largimit, Raab konsiderohej si “punësim” i rëndësishëm për Numrin 10, sepse përzgjedhja e tij, zgjedhja e bërë me të tregoi se plani i May-t ishte ende tërheqës për votuesit pro-largimit” citohet në “Thw Guardian”.

Mungesa e entuziazmit që treguan për marrëveshjen ministrat pro-brexitit do të thotë se nuk e kishin shumë për zemër të dilnin para të gjithëve e ta shisnin në publik si arritje të madhe. Siç e shohin skeptikët, mbretërisë së bashkuar do t`i duhet t`i paguajë BE-së miliarda euro për faturën e divorcit; nuk flitet dot për marrje të plotë të kontrollit sepse do të këtë një vazhdimësi të rolit të Gjykatës Europiane të drejtësisë, të paktën në periudhën afatshkurtër dhe atë afatmesme; sa për marrëveshjet e tregtisë së lirë, interpretimi është se ato do të mbeten jashtë menysë, si rezultat i një unioni të gjerë doganor, nga i cili Britania do të mund të tërhiqej vetëm nëse do të binte dakord një panel i pavarur arbitrazhi i përbërë nga pesë persona.

Të tillë e lexon paktin edhe presidenti amerikan Donald Trump. Megjithëse qeveria britanike u përpoq të tregonte të kundërtën, Trumpi duket i bindur se pakti i tërheqjes se Londrës ngjason me një arritje për BE-në dhe një mundësi që Britania të mos jetë në gjendje të beje tregti me shtetet e bashkuara.

“Nëse do t`i hidhnit një sy tani tekstit te marrëveshjes do të shikonit se Britania e Madhe mund të mos jetë në gjendje të bëjë tregti me ne. Dhe kjo nuk do të ishte aspak gjë e mirë. Nuk besoj se kanë pasur këtë në mend” tha Trump.

Dorëheqja e Raabit, tregoi në thelb se zemërimi në qarqet euroskeptike është mëse i prekshëm. U përfol deri dhe mundësia e një mocioni mosbesimi ndaj shefes së qeverisë; zërat që dikur argumentonin se faji duhet kërkuar tek politika në vetvete, e jo tek personi që e promovon, e kthyen pllakën edhe ata. Tani, për këtë kategori, problemi është Theresa May.

Kryeministrja ndërkohë arriti ta vuloste marrëveshjen e brexitit në Bruksel. Me dokumentin 600 faqësh, i jepet fund anëtarësimit të Britanisë së Madhe në BE pas 45 vjetësh. May vazhdon të këmbëngulë se në kushtet ekzistuese, askush nuk do të prodhonte dot një ujdi më të mirë.

“Ligjvënësit britanikë kanë një zgjedhje për të bërë. Mund ta mbështesim këtë marrëveshje, të përmbushim atë që diktoi vota e referendumit dhe të ecim përpara drejt ndërtimit të një ardhmjeje me të ndritur oportunitetesh e prosperiteti për të gjithë njerëzit tanë. Ose, kjo dhome e parlamentit mund të zgjedhe ta refuzojë ujdinë dhe të kthehemi në pikën nga u nisem. Askush nuk e di çfarë do të ndodhe nëse marrëveshja nuk aprovohet. Do t`i hapte derën përçarjesh e paqartësisht të reja, dhe të gjitha rreziqeve që ato bartin me vete.

Në Bruksel, kishte ndoshta frymëmarrje lehtësimi, por në publik, kjo nuk u pa.

“Kjo është një ditë kur jemi të kënaqur me rezultatin, por në të vërtetë është një ditë e trishtuar kur sheh sesi një vend si Mbretëria e Bashkuar e gjen vendin e saj larg prej të tjerëve. Jo, këtu nuk ka vend as për shampanjë e as për duartrokitje”, tha Juncker.

Të ndërgjegjshëm se parlamenti britanik mund edhe ta rrëzojë marrëveshjen, krerët europianë po përpiqen të tregojnë me çdo mënyrë se nuk do të hidhet në tryezë asnjë ofertë tjetër më e mirë se kjo.

“Unë e urrej Brexitin, ju e dini, por jemi përpara faktit të kryer. Nuk ka fitues këtu, askush nuk fiton në këtë mes, jemi që të gjithë humbës. Por ligjvënësit britanikë duhet ta dinë, se ky është maksimumi që ne mund të bëjmë”, Mark Rutte, kryeministër i Holandës.

Nëse marrëveshja nuk arrin ta kalojë vërtet sprovën e parlamentit, atëherë dy janë mundësitë që mbeten: të ketë një dalje të Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje, skenar ky që do të rezultonte shkatërrimtar për ekonominë britanike, dhe një “ referendum i dytë kombëtar”, i cili praktikisht do t`i rikthehej pyetjes që ishte burimi i gjithë kësaj situate: a dëshiron Britania të largohet, ose më saktë, a e dëshiron më një gjë të tillë? Pritshmëritë janë së votuesit britanikë, në rastin se do t`iu jepej vërtet një shans I dytë, këtë radhë do të votonin kundër Brexitit.

“Perspektiva e një referendumi të dytë ka avancuar ndjeshëm. Parlamenti britanik zor se do ta përtypte një dalje pa marrëveshje. Kështu që, ndjekësit e linjës së ashpër rrezikojnë të provokojnë një krizë e cila mund ta vrasë ëndrrën e tyre, duke i shtruar butë-butë rrugën një referendum të dytë”, tha Robert Shrimsley, nga Financial Times.

 A ka gjasa të ndodhë vërtet një gjë e tillë? Askush nuk di ta thotë, sepse e tillë është sot edhe vetë politika britanike në epokën e Brexit-it: një rrëmujë e vërtetë.

 Tani që Brexiti u vulos, vëmendja spostohet në  Westminster. Sprovat e May-t nuk kanë përfunduar ende: pyetja që ngrihet sot është a do të arrije kryeministrja britanike të marrë mbështetje për planin e saj në Dhomën e Komunëve. Do të ketë disa ditë debatesh duke nisur nga 10 dhjetori, dhe zor se mund t`ia dalë njeri me aritmetiken e numrave në parlament. Askush nuk po nxiton të bëjë parashikime e kështu siç janë gjërat në këtë moment, duket se ka një shumice kundër marrëveshjes.

Siç shpjegon BBC, duhen 320 vota që marrëveshja të miratohet: – Partia e Irlandës Veriore DUP nuk po e sulmon më qeverinë, por paktin nuk e përkrah. Janë 82 rebelë konservatorë që me shumë gjasë nuk do të jenë në krah të May-t, ndërsa disa zëra flasin dhe për një referendum të dytë Kryeministrja ka rreth 234 konservatore besnike në krah, por nuk mjaftojnë.

Edhe me mbështetjen e disa laburistëve, kështu siç paraqitet skema në këtë moment, votat ka pak gjasa të plotësohen.

Deri në javën e dytë të dhjetorit, gjërat sigurisht mund të ndryshojnë. May shpreson ndoshta se do të arrijë të bindë disa prej rebeleve e të fitojë përkrahjen e më shumë ligjvënësve opozitarë. Por, të lehtë nuk ka për ta pasur për çdo rast; kryeministrja britanike ende nuk mund të flejë e qetë.

Nga Irida Vasia

Top Channel