Një grek dhe një shqiptar, të moshave 21 dhe 19 vjeç respektivisht, kanë pranuar autorësinë e një krimi makabër në ishullin Rodos të Greqisë, të ndodhur më 29 nëntor. Ata ishin ekzekutorët e një studenteje 21-vjeçare, që sipas burimeve lokale, kishte refuzuar të kryente marrëdhënie seksuale me ta.

Të rinjtë, të cilët ishin në efektin e alkoolit, nuk e kapërdinë këtë refuzim dhe nisën ta dhunonin atë deri në vdekje. Më e rënda vijon më tej, kur trupi i pajetë i 21-vjeçares është transportuar me një automjet, për t’u braktisur në një plazh të izoluar të ishullit turistik në Egje.

Dy të rinjtë ishin të dyshuar që në momentin e parë që u gjet trupi i 21-vjeçares Eleni Topalidhu, pasi ishin filmuar nga kamerat e sigurisë në qendër të qytetit të Rodosit. Këtë ngjarje makabre ata e pohuan edhe para hetuesve, pas gati 24 orësh marrje në pyetje intensive.

Tashmë, dy autorët e krimit monstruoz do të dërgohen në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë. Ngjarja tronditi të gjithë Greqinë, madje mori edhe nota politike, pasi anëtarët e “Agimit të Artë” nisën një fushatë akuzash në rrjetet sociale ndaj të huajve në vend.

Megjithatë, kanë qenë vet familjarët e viktimës që kërkuan që ngjarja të mos përdorej politikisht, por të marrë vetëm zgjidhjen e duhur në aspektin penal.

Top Channel