“Shtëpia, vendi më i rrezikshëm për gratë”. Shqipëria në krye të listës për vrasjet brenda familjes

03/12/2018 19:50

Në një studim global për vrasjet e lidhura me gjininë për vajzat dhe gratë” të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën, Shqipëria mban nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë gra.

Shtëpia, thuhet në raport, është kthyer vendi më i rrezikshëm për gratë. Probabiliteti më i lartë është që gratë të vriten nga duart e dikujt që e njohin sesa nga një i panjohur, ndërsa shumica dërrmuese e vrasësve janë burra.

1.Mbrëmjen e 8 qershorit, 40 vjeçarja Adriana Shaholli, nënë e 6 fëmijëve u vra nga bashkëshorti i saj si pasojë e dhunës së ushtruar brenda mureve të kësaj shtëpie.

2. Po në të njëjtën ditë, një tjetër krim ndodhi këtë herë jashtë mureve të banesës, në sy të kalimtarëve në Donbosko, 31 vjeçari Xhaferr Mata i mori jetën 19 vjeçares Xhuljeta Çunit.

3. Një rast i ngjashëm për shkak të xhelozisë u shënua para Fakultetit të Mjekësisë, ku Aldison Belulaj vrau 21 vjeçaren Ariela Muratin.

4. Ngjarje edhe më e rëndë ishte ekzekutimi i gjyqtares Fildeze Hafizi, nënë e dy fëmijëve nga ish-bashkëshorti i saj; tregues dhe e mosfunksionimit të shtetit që nuk mbron dot njerëzit e tij dhe jo më qytetarët.

Këto krime janë shpesh të paralajmëruara. Edhe pse ka mundësi raportimi të kërcënimeve e dhunës, masat e marra për parandalimin ndaj tyre janë të pakta. Dhe si pasojë, vjen forma më ekstreme e dhunës, Vrasja.

Pavarësisht zhvillimit të një vendi, si ato të varfra dhe vendet e pasura, shfaqin një panoramë të zymtë sa vjen e në rritje për vrasjet e lidhura me gjininë e vajzave; 58% e të gjitha vrasjeve e përbëjnë gratë e vrara nga partnerët intimë dhe anëtarët e familjes. Pas Shqipërisë, Lituania mban nivelin më të lartë në Europë për vrasjet e grave, 2.9 për 100 mijë gra, 0.5 prej të cilave janë nga partnerët intimë.

Top Channel