Pas dorëheqjes së 4 kryetarëve të tyre, komunat në veri të Kosovës duket se kanë krijuar distancë me serbët në jug të saj.

Rada Trajkoviç, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se lëvizja e drejtuesve të Leposaviçit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore përbën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit dhe integrimeve, të cilat, siç thotë ajo, ishin esenca e këtij projekti.

Rritjen e taksës për mallrat serbe edhe Trajkoviç e konsideron një vendim politik, i cili, si i tillë, do të jetë me afat të kufizuar kohor. Këto dorëheqje janë, sipas saj, jokorrekte ndaj bashkëqytetarëve tjerë serbë që jetojnë në anën e poshtme të lumit Ibër dhe një paralajmërim i ndarjes së ngadaltë të veriut të Kosovës nga pjesa tjetër.

“Kjo për mua është një përpjekje mjaft e rrezikshme”, shprehet ish-ligjvënësja, të cilën, nga sa pohon ajo, po tentojnë ta vënë në zbatim Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe ai kosovar Hashim Thaçi, e të krijojnë kështu një gjendje faktike.

Edhe një ish-deputet tjetër i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Petar Miletiç, konsideron se ky ishte një veprim i nxituar emocional, ndërsa të gjithë situatën e konsideron vendosje në pozicionet fillestare për raundin e ri të bisedimeve.

Top Channel