Për Prokurorinë e rrethit të Vlorës ngjarjet e raportuara si të zhdukur nuk janë fenomen shqetësues apo që ngjallin panik në qytet.

“Tani përbën apo nuk përbën panik, është një pjesë që lidhet me sa raste janë referuar. Por në bazë të statistikave, ne dy raste kemi nën hetim”, tha prokurorja e Vlorës.

Por ish-drejtori i policisë së shtetit e sheh gjendjen si alarmante.

“Janë raste të vështira, edhe pengmarrja dhe zhdukja e personave, vrasjet me pagesë janë dy fenomene që Shqipëria i ka pasur shumë sporadike, dhe nëse kemi të bëjmë me shifra të tilla, atëherë gjithë vëmendja duhet të përqendrohet këtu sepse është me pasoja shumë të rënda, nuk mund të neglizhohet as nga oficerët e policisë, as nga prokurorët, në asnjë rast nuk mund të ketë pushim të kësaj çështje, nuk mund të ketë mosfillim të kësaj çështje”, tha për Top Story, Ahmet Premçi, ish-drejtor i Policisë së Shtetit.

Kultivimi i kanabis sative në mbarë territorin e vendit ka sjellë jo vetëm inkriminimin e shoqërisë por dhe të Policisë së Shtetit.

“Në të gjithë këtë histori, shteti dhe institucionet ligjzbatuese kanë bërë sehir ose kanë bashkëpunuar”, tha Premçi.

Por, ish drejotri i policisë së shtetit ka bindjen se inkriminmimi i policisë ka ardhur për shkak të lidhjes së poltikës me krimin.

“Policia e shtetit ka të evidentuar në databazën e vet veprimtarinë kriminale në të gjithë kontigjentin e republikës, por mendoj që ata janë të tulatur, sepse përveç informacionit që ka për kontigjentin kriminal, punonjësit e policisë kanë informacioni dhe për lidhjet e të gjithë kriminelëve të Shqipërisë që kanë me pushtetin, deputetët dhe politikën”, Tha Premçi.

Vullneti poltik është ai që motivon edhe organizatën e policisë për të luftuar krimin.

Premçi thotë se policia është e pamotivuar për të luftuar krimin dhe se situata është alarmante jo vetëm në Vlorë, por në disa qytete të Shqipërisë.

“Harta e këtyre veprave penale, nuk është vetëm në Vlorë, por është në Shkodër, në Elbasan, në të gjithë territorin e vendit”, tha Premçi.

Drejtoria e policisë së qarkut të Vlorës nuk pranoi të shpjegojë për Top Story rastet e raportuara si të humbura në qytetin e Flamurit.

Por për herë të parë Policia e Shtetit publikojë emrat e njerëzve me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve në kapjen e tyre.

Top Channel