Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar zyrtarisht drejtorin e ri të ekipeve kombëtare, Xhemal Mustedanagiç, i cili në bazë të analizave të rezultateve dhe të formimit ka vendosur edhe për trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave.

I vetmi i rezistuar nga sezoni i kaluar është Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U21, ndërkohë që në ekipet e tjera janë vendosur respektivisht si në vijim: Nevil Dede te Kombëtarja U19, i cili zëvendëson Erjon Bogdanin; Elvin Beqiri te Kombëtarja U17, që zëvendëson Mustedanagiç; si dhe Armand Damo te Kombëtarja U15, që zëvendëson Eqerem Memushajn.

“Atë që kërkoj është që të jemi të ndershëm me lojtarët. Kemi organizuar me sistem çdo gjë. Të jemi të ndershëm kundër Federatës, futbollistëve dhe vetvetes. Nëqoftëse cilido nga ne nuk është i ndershëm dhe nuk i respekton rregullat e kushtet, atëherë nuk është për Kombëtaren. Unë jam drejtor teknik, përpara nuk ka pasur një të tillë. Do të futet gjithçka në sistem dhe do të ndjekim rrugën e sistemit që kemi nisur. Do të respektojmë sistemin dhe rregullat që kemi vendosur. Në futboll, gjithçka është e thjeshtë, nuk ka filozofi”, tha Xhemal Mustedanagiç, drejtor i ekipeve kombëtare.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku theksoi edhe ndryshimet në ekipet zinxhire të kombëtares.

“Do të krijojmë edhe Kombëtaret U-16, U-18 dhe U-20. Do të shikojmë nëse do të marrim trajnerë të tjerë, apo do të zgjedhim këta që janë”, tha Ilir Shulku.

Ndërkohë, drejtori i ekipeve kombëtare Mustedanagiç theksoi se te të gjitha kombëtaret, nga U15 deri tek U19, do të jetë e detyrueshme që të përzgjidhen lojtarët e kampionatit vendas.

Top Channel