Një shkencëtar kinez pretendon se ka ndihmuar në ndryshimin e gjeneve të dy vajzave binjake të lindura këtë muaj përmes ndërhyrjes në ADN.

Nëse vërtetohet një gjë e tillë, do të përbënte një hap rrënjësor për shkencën, por edhe etikën.

Në procesin e zhvilluar në Kinë thuhet të ketë marrë pjesë edhe një hulumtues amerikan, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara, një ndryshim i tillë i gjeneve është i ndaluar, me argumentin se ai mund të bartet te brezat e ardhshëm dhe rrezikon dëmtimin e gjeneve të tjera.

Shumë ekspertë e konsiderojnë të pasigurtë një nismë të tillë, e madje disa e përshkruan procedurën kineze si eksperiment me njerëzit.

Por, studiuesi He Jiankui – nga Shenzheni, – këmbëngul se qëllimi tij nuk është të shërojë apo parandalojë sëmundje të trashëgueshme, thjesht të përpiqet të shtojë një tipar që e kanë pak njerëz, aftësinë për t’i rezistuar infektimit të mundshëm në të ardhmen me virusin HIV.

“Ndiej një përgjegjësi të madhe, sepse kjo nuk është vetëm hera e parë që provohet diçka e tillë, por edhe shembull. Shoqëria do të vendosë se çfarë do të bëjë në të ardhmen, nëse do t’i ndalojë apo jo ndërhyrje të tilla”, tha He Jiankui, shkencëtar.

Ende askush nuk i ka konfirmuar në mënyrë të pavarur pretendimet e Jiankuit, të cilat as nuk janë paraqitur në ndonjë revistë shkencore, ku do të mund të analizoheshin nga ekspertë të tjerë.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel