Singapori “Hi Tech” po planifikon të fusë në përdorim një seri dronësh, për detyra që përfshijnë që nga shpërndarja e postës, inspektimi i ndërtesave dhe ofrimi i sigurisë, por siguria e mjeteve të telekomanduara dhe shqetësimet për privatësinë mund ta trazojnë disi këtë nismë.

Kjo është pjesë e përpjekjes së qytetit për të përqafuar inovacionin teknologjik, por edhe një përpjekje për të trajtuar mungesën e fuqisë punëtore në një vend me 5.6 milionë banorë, që varet shumë te punëtorët e huaj në shumë sektorë me paga jo fort të larta.

Përdorimi komercial i mjeteve të telekomanduara, në fakt është bërë trend edhe në vende të tjera të botës, në fusha të ndryshme, si për shembull spërkatja e të mbjellave apo mbikëqyrja, por përpjekja e Singaporit përbën një provë ambicioze për teknologjinë.

“Inspektimi i ndërtesave në ditët e sotme është një proces shumë i ngadaltë, i kushtueshëm, i ekspozuar ndaj aksidenteve apo gabimeve njerëzore. Por, përmes dronëve, këta faktorë evitohen”, tha një përfaqësues i projektit.

Inspektime të tilla kryhen zakonisht nga punonjës nga Azia jugore apo juglindore, që varen jashtë ndërtesave, në platforma që mbahen nga litarë. Dronët po testohen edhe për t’u përdorur si roja robotike, e po ashtu edhe për shpërndarjen e postës, ndërsa një rrjet spitalesh planifikon t’i përdorë ato edhe për transportin e kampionëve të gjakut dhe testeve të tjera mes spitaleve të ndryshme dhe laboratorit qendror.

Por, transformimi i vizionit futuristik në realitet është sigurisht i vështirë. Perspektiva e dronëve që shfaqen papritur në dritaren e apartamentit apo zyrës ka sjellë edhe shqetësime mbi privatësinë.

Top Channel