Në Shqipëri nuk ka të dhëna statistikore lidhur drejtpërdrejt me sëmundjet kronike të veshkave, çka dëshmon ndoshta neglizhencën që sistemi shëndetësor ka pasur ndër vite ndaj kësaj sëmundjeje të rëndësishme dhe me potencial të lartë për invalidizimin e pacientëve.

Megjithatë, të dhënat indirekte për faktorët kryesorë të rrezikut që janë diabeti, hipertensioni, dieta jo e përshtatshme, mungesa e aktivitetit fizik, konsumimi i shumtë i kripës dhe sheqernave, obeziteti, etj., në Shqipëri sugjerojnë për një rritje të fortë të sëmundjeve të veshkave me kalimin e kohës, siç nënvizohet në Raportin “Gjendja Shëndetësore e Popullatës Shqiptare”, (të vitit 2014, të Institutit të Shëndetit Publik).
 
Që prej vitit 2015, pacientët shqiptarë përfitojnë paketat shëndetësore të nefrologjisë (dializën, transplantin e veshkave, terapinë e flakjes akute) dhe kardiokirurgjisë pa pagesë, si në spitalet publike, ashtu edhe në ato jopublike, nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili mbulon 100 për qind shpenzimet.
 
Ndër shkaqet e sëmundjeve kronike të veshkave janë:
– Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni) që shkakton një të katërtën e të gjitha rasteve.
– Diabeti që shkakton një të tretën e të gjitha rasteve dhe që është shkaku më i zakonshëm i insuficiencës renale.

Kushtet e tjera më pak të zakonshme të veshkave përfshijnë: inflamacionin, infeksionin, trashëgiminë familjare, bllokimin e gjatë të sistemit urinar, përdorimin për një kohë të gjatë të disa ilaçeve që mund të shkaktojnë këto sëmundje.
 
Në emisionin e sotëm “Hipokrati” do të trajtohen pikërisht sëmundjet e veshkave. Si t’i dallojmë shenjat e para? Cilat janë stadet në të cilat kalon kjo lloj sëmundjeje? Si kryhet dializa? Po transplanti, në çfarë kushtesh kryhet në Shqipëri? Këto dhe shumë informacione të vlefshme mbi shëndetin tonë do të vijnë në mënyrë të detajuar duke nisur prej orës 18:20, në Top Channel.

Top Channel