Rihapja e gjykimit për Izet Haxhinë, që është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdarit, po kthehet në një mision të pamundur, edhe pse ka një vendim për rihapjen e tij.

Seanca e parë në Gjykatën e Apelit, ka dështuar dhe ajo që është me kryesorja është se nuk ka një datë për seancën e radhës. Kjo dosje është ndoshta e vetme ne historinë e Gjykatës së Apelit, ku gjyqtarët nuk dëshirojnë ta gjykojnë.

Trupi gjykues i caktuar me short, pas dorëheqjes se trupës së parë, relatoi në seancë se kishin paraqitur dorëheqjen nga gjykimi, pasi fakti që ish-bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari është pjesë e trupës gjyqësore të Apelit, i bën koleget e saj të kenë konflikt interesi në Gjykimin e çështjes.

Por ndonëse ky argument nuk ishte pranuar nga kryetari i Gjykatës së Apelit, procesi nuk vijoi pasi vete Izet Haxhia dhe avokati i tij kërkuan përjashtimin jo vetëm të trupit gjykues, por të të gjithë gjyqtarëve të Apelit të Tiranës.

Avokati Bashkim Nikolla jep arsyet e kësaj kërkese: “Të gjithë gjyqtaret e kësaj gjykate janë krijesë e politikës dhe çështja që unë mbroj me Izet Haxhinë ka rryma të brendshme dhe të forta politike. Asnjë nga gjyqtarët aktualë nuk mund ta gjykojë këtë çështje”, u shpreh avokati Bashkim Nikolla.

Tani pritet që një tjetër trupë gjyqësore të shprehet për kërkesën e avokatit të Izet Haxhisë, deri atëherë procesi do të vijojë të mbetet pezull.

Top Channel