Pasi jetoj prej çerek shekulli në Londër, them se “Po”, është e vërtetë që trafikimi nga Shqipëria drejt Britanisë vazhdon dhe për të unë kam raportuar ndër vite.

“Po”, është e vërtetë se ka gra që trafikohen për prostitucion dhe shfrytëzohen, madje disa e bëjnë edhe me dëshirën e tyre dhe pa tutorë.

“Po”, po aq e vërtetë është se ka të rinj të pashoqërur që vijnë në Britani për të kërkuar azil për 1001 arsye.

“Po”, është e vërtetë se fitimet janë të mëdha dhe ka pasur raste kur grupe shqiptarësh, në disa raste edhe në bashkëpunim me grupe britanike, kanë bashkëpunuar për të sjellë me forma nga më të ndryshmet shqiptarë që duan të vijnë e të jetojnë në Britani, pasi për shumicën e tyre, me të drejtë ose jo, ishulli konsiderohet El Dorado.

Por, një dokumentar i një rrjeti televiziv nga më prestigjozët në Britani, si “Sky News”, do duhet të kishte gërmuar më shumë për të vërtetën. Dhe ja disa prej tyre, për mendimin tim modest: Shumë nga gratë që vijnë e kërkojnë azil në Britani si të trafikuara, siç raportonte vite më parë gazeta e madhe “Sunday Times” e Londrës, nuk janë realisht të trafikuara, por janë gra dhe vajza që duan të bashkohen me burrat e tyre me dokumenta legale, por që nuk i lejojnë të hyjnë nga dera dhe detyrohen të hyjnë nga dritarja, sa për shkak të burokracisë dhimbjemadhe britanike të emigracionit, aq edhe për shkak të rregullave të ashpra me kërkesa të vështira financiare për bashkime familijarësh.

Shpesh, shumë nga këto gra dhe vajza paraqiten pranë autoriteteve kur janë në muajt e fundit të shtatzanisë e kalojnë kalvarin e lindjeve larg burrave apo të fejuarve të tyre, pasi rivendosen jashtë Londrës në shumicën e rasteve. Shumë të rinj të pashoqëruar vijnë vërtetë në Londër, por shumica paguajnë nga 6-10 mijë stërlina për udhëtimin nga Shqipëria në Britani dhe zor se konsiderohen të varfër, edhe pse mund të kenë marrë borxhe.

Shumë prej tyre, për shkak të detyrimeve ndërkombëtare, trajtohen dhe përkujdesen nga shteti britanik deri në moshën 18-vjeçare dhe ata që nuk fitojnë azilin në një masë të konsiderueshme bien pre e atyre që merren me trafikun e drogës, si korrierë apo edhe përdorues të drogave të forta. Këtu faj kanë edhe prindërit e tyre, të cilët realisht nuk dinë se çfarë jete bëjnë këta fëmijë nëpër qytetet angleze.

Ndërkohë, numri i proceseve gjyqësore ndaj trafikantëve të qenieve njerëzore është tejet i ulët në krahasim me ata që merren me tregtinë e drogës dhe veçanërisht kokainës. Ndërkohë që Britania vazhdon të akordojë fonde për pengimin e trafikimit nga Shqipëria për këto viktima që në shumicën e rasteve nuk janë ashtu siç paraqiten. E në rast se qeveritë shqiptare që bëjnë shumë mirë që bashkëpunojnë me qeverinë britanike për zbatimin e ligjit dhe luftën ndaj krimit të organizuar, mund të bëjnë akoma më shumë pranë autoriteteve britanike për t’ua lehtësuar jetën atyre që jetojnë legalisht në këtë vend dhe duan të bashkohen me ata që duan të krijojnë familije, të cilat në shumicën e rasteve nuk do duan të hiqen si të trafikuara për prostitucion kur nuk janë të gjitha të atilla.

Atëherë do të kemi numra shumë më të vegjël të trafikuarish dhe një përafrim më të madh drejt të vërtetës, siç nuk doli e plotë në dokumentarin e “Sky News”.

Nga Ben Manaj, Top Channel Londër

Top Channel