Populistët dhe partitë populiste kanë trefishuar mbështetjen në Europë në këto 20 vitet e fundit, duke siguruar vota mjaftueshëm për t’i futur krerët e tyre në qeverisje në 11 vende, e duke sfiduar rendin politik në të gjithë kontinentin.

Rritja e vazhdueshme për mbështetjen e partive populiste në Europë, veçanërisht të së djathtës, është shqyrtuar në një analizë të performancës së tyre në zgjedhjet kombëtare në 31 shtete europiane, përgjatë dy dekadash, të kryer nga e përditshmja londineze “The Guardian”, në bashkëpunim me më shumë se 30 ekspertë të tjerë.

Të dhënat tregojnë se, populizmi ka qenë në vazhdimësi në rritje që prej vitit 1998. Dy dekada më parë, partitë populiste kanë qenë një forcë margjinale, që arrinte të merrte jo më shumë se 7 për qind të votave në kontinent; në zgjedhjet më të fundit kombëtare, një në 4 vota është hedhur për një parti populiste.

“Jo shumë kohë më parë, populizmi ishte një fenomen i politikës së skajshme. Sot ai është bërë tendencë. Disa nga zhvillimet më domethënëse të kohëve të fundit, si referendumi për ‘Brexit’-in dhe zgjedhja e Donald Trumpit nuk mund të kuptohen pa marrë në konsideratë rritjen e populizmit”, tha Matthijs Rooduijn, politolog.

Mbështetësit e populizmit thonë se ai mbron njeriun e thjeshtë përballë elitës së korruptuar, ndaj është thelbësor në çdo demokraci. Por, kritikët thonë se populistët në pushtet, shpesh shkelin normat demokratike duke dëmtuar medien apo gjyqësorin, ose duke shkelur të drejtat e minoriteteve.

Top Channel