Sqarimin për protestuesit e “Unazës së madhe”, kryeministri kishte njoftuar se do ta bënte nga Parlamenti, por nuk priti dot deri të enjten.

Gjatë aktivitetit të bashkëqeverisjes me njerëzit, Rama theksoi se ka dallim mes dikujt që ka ndërtuar pa leje, në një zonë që nuk krijon probleme, dhe atyre që e kanë bërë këtë në zona sensitive.

“Të ndërtosh kate të tëra për biznes në shtratin e rrugës e të kërkosh dëmshpërblim 100%?! Dëmshpërblim për çfarë?!”, pyeti Rama.

Kryeministri nuk flet për hallexhinj, por për zaptues profesionistë. Kush s’ka legalizim nuk do të marrë dëmshpërblim, tha më tej ai.

“Dëmshpërblim nga buxheti, që është kontribut i përbashkët, për të ndërtuar shkolla e çerdhe? Për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë me 6 a 7 vila e biznese, të ndërtuara gjatë periudhës së rrumpallës së madhe? Është e papranueshme”, tha Rama.

Rama u bëri thirrje protestuesve që të heqin dorë nga bllokimi i aksit e t’i hapin rrugë zhvillimit, shoqëruar me thirrjen që të distancohen nga opozita.

“Të mos turpërojnë veten dhe familjen, duke u bërë mish për top i atyre që s’u ka mbetur asgjë në kokë, në shpirt, por të tundin flamurin e një opozite që shkon zë rrugën dhe predikon dëmshpërblim për paligjshmëri”, tha Rama.

Top Channel