BE refuzon buxhetin e Italisë, përgatit procedurat disiplinore

21/11/2018 14:49

Brukseli ka hedhur poshtë zyrtarisht buxhetin me shumë shpenzime të Italisë, duke hapur rrugën për sanksione të paprecedenta, e duke thelluar edhe më tej një përplasje me qeverinë populiste të Romës.

“Me atë që qeveria italiane na ka vendosur në tryezë, ne shohim rrezikun që vendi të rrëshqasë në destabilitet. Ne kemi dalë në përfundimin se hapja e një procedure të deficitit të tepruar, si pasojë e borxheve, është e nevojshme”, tha Vladis Dombrovski, zv.president i Komisionit Europian.

Procedura është procesi zyrtar i BE-së për të dënuar vendet anëtare për shpenzimet e tepruara. Konkluzioni nuk është aspak surprizë dhe vjen pasi Komisioni refuzoi më herët buxhetin e Italisë për vitin 2019, e para herë kjo në historinë e BE-së.

Por, Italia refuzoi të tërhiqej pas vetos së Brukselit, duke e çuar në opinionin final të Komisionit, të mërkurën.

Buxheti italian nuk përmbush kërkesën e BE-së për reduktimin e shpenzimeve dhe premton rritje të tyre, përfshirë edhe një të ardhur mujore bazë për të papunët dhe rritje pensionesh.

Tani, Italia ka dy javë kohë për të vendosur nëse do ta lejojë Komisionin të nisë procedurën, që zgjat për disa muaj dhe që mund të çojë në gjoba. Roma ka mundësi të negociojë dhe të bëjë korrigjimet e kërkuara, para se Brukseli të zyrtarizojë gjobën që mund të shkojë deri në 0.2 për qind të GDP-së së Italisë.

Top Channel