Një ditë pasi  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi zyrtarisht punën përgatitore për garën elektorale të 30 Qershorit 2019, kryetari Klement Zguri kërkoi nga partitë politike që të mos anashkalojnë raportet financiare mbi shpenzimet e tyre në fushatë, pasi transparenca e parave të shpenzuara është detyrim ligjor.

“Raportet financiare depozitohen pas zgjedhjeve, por dokumentimi i finacimit bëhet sot. Sot mbahen llogaritë. Sot plotësohen detyrimet ndaj ligjit. Nëse partitë këtë detyrim e lëne për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot, nuk do ketë transparencë, do të ketë financim ilegal dhe, pse jo, përdorim të parave për qëllime të kundraligjshme”, tha Zguri.

Kreu i KQZ i quajti zgjedhjet e ardhshme vendore një sfidë për të gjitha institucionet e shtetit, por nënvizoi se edhe partitë politike kanë përgjegjësinë e vet.

“Sfida përballohet me sukses, kur të gjithë bëhemi të vetëdijshëm se zgjedhjet nuk janë çështje vetëm e institucioneve dhe nuk varen vetëm nga fati i reformës zgjedhore. Sfida e zgjedhjeve do të përballohet me sukses, kur partitë politike pjesmarrëse në to, veçanërisht partitë që ligji i ngarkon me përgjegjësi administrimi do të kuptojnë dhe pranojnë se detyrimet e tyre ligjore në raport me administrimin nuk janë opsione, nuk formojnë privilegj dhe as avantazh”, tha kreu i KQZ-së.

Zguri njoftoi se KQZ ka përgatitur module të ndryshme trajnimi për të gjithë nivelet e aktorëve të përfshirë në administrimin zgjedhor, ndërsa kërkoi nga shoqëria civile që të ndjekë dhe të përfshihet në këto kurse.

Top Channel